KRONIKË E ZEZË

Gjykata dënon të akuzuarit për veprat penale “krimi i organizuar” dhe “blerja dhe shitja e narkotikëve”

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve A. L., R. H., F. G., F. A., G. A., F. S. dhe Z. B.

Të akuzuarit janë fajtor, sepse nga muaji shkurt 2017 deri më 30.04.2017, me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar, duke u marr me blerjen, transportin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve të llojit “marihuanë”, të cilën e kanë paketuar dhe fshehur nëpër tavolina dhe dërrasa, që pastaj të transportojnë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në Turqi përmes Maqedonisë së Veriut.

Pas hetimeve dhe aplikimit të masave të fshehta të Policisë së Kosovës është arritur të kapen 500 kilogram narkotikë në shtëpinë e të akuzuarit A. L., në fshatin Sojevë të Komunës së Ferizajt, të vendosur dhe fshehur në 20 tavolina.

Në shtëpinë e të akuzuarit R. H. në fshatin Bibaj të Komunës së Ferizajt janë gjetur 28 kilogram narkotikë të fshehura në 64 pako të dërrasave, ndërsa tek i akuzuari F. G. në Krushë të Madhe janë gjetur 184.39 kilogram të llojit marihuanë, të fshehura në 10 tavolina të mëdha dhe 4 tavolina të vogla.

Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të akuzuarit F. A., G. A., F. S., Z. B. janë shpall fajtor për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, ndërsa i akuzuari L. N. është liruar nga akuza.

Trupi gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarit në fjalë:

I akuzuari A. L. është gjykuar me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 50.000 euro gjobë.

I akuzuari R. H. është gjykuar me 11(njëmbëdhjetë) vite burgim dhe 50.000 euro gjobë.

I akuzuari F. G., është gjykuar me dënim prej 8 (tetë) vite burgim dhe 20.000 euro gjobë.

I akuzuari F. A. është dënuar me 4 (katër) vite burgim dhe 10.000 euro gjobë.

I akuzuari G. A. është gjykuar me 4 (katër) vite burgim dhe 5.000 euro gjobë.

I akuzuari F. S. është gjykuar me 2 (dy) vite burgim.

I akuzuari Z. B. është dënuar me 1(një) vit burgim.

Gjykata ka nxjerrë aktvendim për të akuzuarit A. L., R. H. dhe F. G., të cilëve do t’iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërkohë të akuzuarit G. A. i ndërpritet masa e paraburgimit.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

You Might Also Like