Futboll

Gjilani u turpërua në Mitrovicë

U tha se janë përforcuar shumë dhe se do të luftojnë për të dalë në Evropë, por në ndeshjen e parë janë turpëruar. Gjilani ka pësuar humbje të thellë në Mitrovicë në ballafaqim me Trepçën ’89 me rezultat 4:1.

Gjilani që hiqej si favorit, po kontrollonte lojën, kur në një kundërsulm të shpejtë të vendasve në minutën 22, Armend Mujaj, ka shfrytëzuar një dalje të pasigurt të portierit Ruçi dhe mbi duart e tij e ka futur topin në rrjetë.

I njëjti lojtar ka shënuar edhe në minutën 44, pas një kundërsulmi të shpejtë, kur është shërbyer mirë nga Rusi dhe edhe njëherë ka shfrytëzuar daljen e portierit gjilanas për të shënuar në këndin e poshtëm të djathtë.

U mendua se në pjesën e dytë Gjilani do të këndellet, por në një rast kontestues, me motivacion se Kastrati luajti me dorë në brendi, gjyqtari ka dhënë penalti. Krejt kjo ka ndodhur në minutën 60. Dënimin më të rëndë në futboll e dha Arb Manaj, që dërgoi portierin në anën e djathtë e topin në të majtën.

Vendasit kanë fituar edhe një penalti në minutën 65, kësaj radhe pasi në brendi u rrëzua Rusi nga Aziz Razak. Leart Eminit që e kishte datëlindjen iu dha mundësia që të shfrytëzoj dhuratën që iu afrua dhe shënoi për 4:0.

Gjilani i dëshpëruar tërësisht nuk mundi të bëjë asgjë më tepër, pos që të shënoj nga pika e bardhë nëpërmjet kroatit Busiç.

 

You Might Also Like