ARSIMI, Gjilan

Gjilani me projekte milionëshe në arsim për vitin 2016

Drejtoria e Arsimit, respektivisht, U.D. e drejtorit, Shqipe Kastrati Haziri, ka mbajtur sot konferencë për media ku ka dhënë detajet rreth punës, angazhimeve dhe zhvillimeve që kanë ndodhur në këtë dikaster krucial për Gjilanin dhe të ardhmen.

Ajo në fjalën e saj ka përmendur projektet të cilat janë realizuar dhe janë në proces të realizimit në këtë dikaster, duke nisur që nga Partneriteti Publiko Privat, e deri tek investimet e qeverisë së Kosovës, donatorëve dhe mjeteve vetanake të Komunës së Gjilanit.

“Projektet në fushën e drejtorisë së arsimit janë të shumtë dhe me një vlerë të lartë kapitale. Kompleksi i Shkollave të Mesme dhe investimi i rregullimit të kësaj hapësire ka bërë fillimi i këtij projekti të jap rezultate të prekshme në kuadër të planit të Drejtorisë. Gjithashtu, finalizimi i projektit të shkollës në fshatin Shurdhan me financim të Komisionit Evropian. Pastaj, në proces të punimeve janë edhe shkolla e re e Arteve dhe e Muzikës, ndërtimi i dy sallave të edukatës fizike, që financohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, ka pohuar U.D. Kastrati Haziri.

Ajo një falënderim të veçantë ka drejtuar edhe ndaj donatorëve që janë fuqishëm prezentë në Gjilan përmes investimeve milionëshe.

“Falë mbështetjes së madhe që kemi nga donatorët e konkretisht nga USAID-i, është duke u ndërtuar aneksi i shkollës fillore në Ponesh, objekti i ri i çerdhes në lagjen “Dardania” si dhe janë ndërruar rekuizitat e jashtme në çerdhet “Ardhmëria II” dhe “Bozhur” në Shillovë. Po ashtu, me donatorin tjetër Caritas-in e Zvicrës është bërë furnizimi me inventar për 8 klasat parashkollore në shkollat fillore të Gjilanit. Edhe donatori tjetër, organizata gjermane GIZ-i ka organizuar trajnimet për mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta”, ka thënë në fjalën e saj drejtoresha e Arsimit në Gjilan.

Ajo ka përmendur edhe donacionet tjera të ardhura në shkollat e Gjilanit, përkatësisht nga Komuna e Bursës në Turqi, 456 projektorë dhe pajisje të tjera, sikur që është organizuar trajnimi për 15 nxënës të cilët tashmë kanë përfunduar trajnimin nga shkolla profesionale e teknikës.

Drejtoresha e DKA-së në Gjilan, Shqipe Kastrati-Haziri, ka përmendur në prezantimin e saj edhe ndarjen e bursave për 69 studentë, sikur që bëri të ditur pajisjen për profilin e mehatronikës për shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai”, në një vlerë prej 120 mijë euro.

 

You Might Also Like