Futboll

Gjilani i pati në dorë tri pikë, mori vetëm një

Pak minuta iu deshën Gjilanit të kthehet nga Mitrovica me tri pikë, por për pak sa nuk mbeti duarthatë, ngase Trepca ’89 iu afrua shumë fitores. Në fund, rezultati mbeti 1:1, që gjithsesi se është sukses për Gjilanin.

Fillimisht në minutën 5, vendasit sa nuk shënuan autogol, kur Pira aksidentalisht qëlloi tërthorësen. Dy minuta më pas rast të mirë pati Nika i Gjilanit, kurse në minutën 10 për pak sa nuk shënoi Asare i Trepçës ’89.

Në minutën 15, Nika i Gjilanit për pak nuk ishte i saktë, dy minuta më pas Jashari gjuajti e Kaqiu u tregua i sigurt.

Gjilani e gjeti golin në minutën 25, kur pas harkimit Nikës, Hysa për mrekulli qëlloi me kokë dhe solli ekipin e tij në epërsi.

Pasi kanë pranuar gol mitrovicasit janë zgjuar. Kështu në minutën 27 Gëzim Rusi (T’89) gjuan me kokë, por Ylber Kastrati e largon topin nga vija e portës. Në atë të 30, Ardian Muja (T’89) gjuan me kthim pranë portës, por topi shkoi jashtë portës.

Gjilani mundi të dyfishojë epërsinë kur në minutën 47 Ansi Nika gjuan bukur pas asistimit të Jefferson Lopes, por ‘gardiani’ Arben Beqiri ka shpëtuar gol të sigurt duke e larguar topin nga vija fatale. Xehetarët u kundërpërgjigjën në minutën 58, kur Hasan Hyseni provoi goditjen nga distanca, por Donat Kaçiu e devijoi topin në fundore.

Sërish rast i mirë për Gjilanin. Në minutën 64 Edon Sadriu  gjuan për mrekulli me kokë pas harkimit të Endrien Maganit, por mbi portë.

Rezultati u barazua në minutën 76. Në tollovinë e krijuar para portës së Gjilanit më së miri u gjet Arb Manaj, që realizoi për 1 :1.

Trepça ’89 kërkoi golin e fitores dhe pati tri raste shumë të mira. Asare në minutën 80 gjuajti jashtë portës, Basriu në minutën 87 nga afërsia sërish gjuajti jashtë, kurse në fund edhe maqedonasi në minutën 89 nuk shënoi nga një pozitë ideale dhe rezultati mbeti 1 :1.

Trepça ’89 – Gjilani 1 :1 (Arb Manaj 76’ – Vilfor Hysa 25)

You Might Also Like