Futboll

Gjilani nisi fazën përgatitore

Gjilan, 01 Korrik 2019-Ashtu siç edhe ishte planifikuar, skuadra e Gjilanit mëngjesin e sotëm mbajti grumbullimin e parë për edicionin e ri garues 2019/2020, ku startuan me fazën përgatitore për këtë sezon.

Mes një atmosfere pozitive futbollistët e Gjilanit dhe prurjet e reja, patën mundësinë që sot në grumbullimin e parë të njoftohen nga afër me bashkëlojtarët e tyre, me të cilët sot startojnë një rrugëtim të ri në fanellen e klubit tonë.

Para fillimit të seancës stërvitore sot i pranishëm ishte edhe presidenti i klubit Florim Zuka, i cili përshëndeti të gjithë futbollistët dhe u uroi mirëseardhje futbollistëve të rinj të Gjilanit.
Ai tutje ju dëshiroi shëndet dhe një kampionat të mirë e me shumë rezultate pozitive të gjithë futbollistëve, të skuadrës kuq e bardh të Gjilanit.

Seanca stërvitore e cila ishte dhe e para, ishte kryesisht e lehtë dhe ajo filloi me një vrapim të lehtë, si nxemje për futbollistët. Numri një i shtabit teknik, Gentjan Mezani, së bashku me ndihmësin e tijë Alban Hyseni dhe trajnerin e portierëve Afrim Ajdini, në programin e stërvitjes së sotme kishin planifikuar edhe disa ushtrime tjera fizike dhe disa teknike, ku në vazhdimin e stërvitjet futbollistët punuan me top.

Në seancën e sotme stërvitore prezent ishin të gjithë futbollistët e skuadrës, ku nga sot ata do të vijojnë punën së bashku me shtabin teknik të skuadrës, për përgatitje sa më të mirë për edicionin e ri garues në Ipko Superligë.

Gjilani përgatitjet do ti vijoj edhe ditën e nesërme, të cilat janë të planifikuara të mbahen në orarin e njejtë sikurse ato të sotmet.

You Might Also Like