Gjilan

Gjilani mund ta ndërrojë statutin

Komiteti për Politikë e Financa (KPF), të martën, të takimin e radhës, të udhëhequr nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar iniciativën e kryetarit Lutfi Haziri për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës dhe e ka rekomanduar për Kuvend Komunal, bashkë me propozim-rregulloren për tatimin në pronë për vitin 2017, propozim-buxhetin 2017, raportin e auditimit për vitin 2015.

KPF, po ashtu i ka rekomanduar për Kuvend Komunal, që do të mbahet më 29 shtator, edhe raportin e punës për vitin 2015 të Komisionit të Aksionarëve të kompanisë “Ecohigjiena”, raportin e punës janar-qershor 2016 të Komisionit të Aksionarëve të NPL “Stacioni i Autobusëve”, planin e veprimit për energji të qëndrueshme, pastaj propozim-vendimin për lejimin e shfrytëzimit të dy pronave komunale, njëra për nevoja të kishës ortodokse në fshatin Cërrnicë dhe tjetra për nevoja të ndërtimit të një xhamie në fshatin Nasalë si dhe informatat për fillimin e vitit të ri shkollor, përkatësisht për korrje-shirjet e këtij viti.

Nismën për ndryshimin dhe plotësimin e statutit të Komunës, si nevojë për rithemelimin e drejtorive të Kulturës dhe të Inspeksionit, e ka përkrahur edhe opozita (PDK e VV), duke rikujtuar se ata kanë qenë kundër riorganizimit të këtyre dy sektorëve, para tri vitesh.

Sahit Abazi (PDK) ka thënë se në këta dy sektorë shumë të rëndësishëm, ku gjatë kësaj periudhe ka pasur dështime, duhet të zgjidhen njerëz adekuatë dhe u shpreh i bindur se LDK-ja ka të tillë.

Avdyl Aliu (LDK) e rikujtoi opozitën se edhe PDK-ja në dy mandatet e saj qeverisëse ka bërë ndryshime të statutit dhe është normale që një qeverisje ta përshtat këtë akt normativ me programin dhe politikat e veta zhvillimore.

Ai nënvizoi se teatri është problem i mëhershëm dhe kjo po ndodh për arsye ligjore, ndërsa sa i përket inspekcionit, Aliu tha se qëllimi i pushtetit nuk është t`i frikësojë qytetarët e vetë, por që t`i vetëdijesojë ata dhe sipas tij, kjo është arritur nga kjo qeverisje.

Nevzad Rushiti (LDK) tha se ndryshimi është bërë për të stabilizuar gjendjen kaotike që ka mbretëruar në këta dy sektorë dhe kjo është arritur të bëhet mjaft mirë.

Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se iniciativa për rikthimin e dy drejtorive tregon se ia keni huq atëherë kur keni vendosur për shuarjen e tyre.

Nevzad Isufi (VV) tha se nisma për rikthimin e dy drejtorive, tregon se në këta dy sektorë ka pasur dështime. Sipas tij, është dashur të ofrohet edhe një arsyetim për këtë ndryshim të

statutit.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka sqaruar se ky është vetëm fillimi i procedurës për ndryshimin dhe plotësimin e statutit, sepse ndërkohë do të ketë edhe dëgjime publike.

Propozimin-buxhetin e ka arsyetuar Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, i cili ka thënë se buxheti i vitit 2017 do të jetë 22.657.746 euro ose 6.1 për qind më i madh se i vitit 2016.

Arben Maliqi (LDK) ka kërkuar që te projektimi i investimeve të merren parasysh edhe nevojat e “Dardanisë”, ku ende nuk është themeluar këshilli lokal dhe nuk ka pasur mundësi t`i paraqes prioritetet e lagjes.

Sa i përket projekt-rregullores mbi tatimin në pronë, Nevzad Isufi (VV) ka thënë se mungon një analizë e mirëfilltë, për t`i parë të metat e kësaj rregullore dhe për t`i marrë parasysh edhe vërejtjet e qytetarëve. Sipas tij, te disa kategori duhet të aplikohen norma stimuluese.

Interesim ka zgjuar edhe raporti për kompaninë “Ecohigjiena” që funksionon në partneritet publiko-privat, por ku gjendja nuk paraqitet aspak e mirë nga këndvështrimi i Komisionit të Aksionarëve.

Xhelal Jetishi, kryesues i këtij Komisioni, ka thënë se partneri privat nuk i ka përmbushur obligimet dhe ka kërkuar që t`i rekomandohet Kuvendit Komunal të rishikojë marrëveshjen.

Planin e veprimit për energji të qëndrueshme e ka prezantuar Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, i cili ka thënë se qëllimi i kësaj strategjie është kursimi i energjisë elektrike dhe

reduktimi për 20 për qind i CO/2.

Informatën për fillimin e vitit të ri shkollor e ka dhënë Shqipe Kastrati-Haziri, ushtruese e detyrës së drejtorit, duke thënë se falë përgatitjeve të duhura dhe me kohë, të gjitha shkollat kanë nisur mësimin me një shtator.

Ramiz Ramadani, drejtor për Bujqësi, ka thënë se rendimentet e kësaj vere janë më të lartat që janë arritur ndonjëherë në Gjilan dhe, sipas tij, kjo komunë i ka plotësuar nevojat e veta për miell në masën 77 për qind.

Përndryshe, Bujar Nevzati i ka përsëritur kërkesat e grupit të këshilltarëve të PDK-së për të sjellë në Kuvend listën e të punësuarve prej vitit 2014 e këndej, listën e projekteve të këtij viti, pastaj një informatë për ecurinë e projektit të lumit Mirusha dhe të tjera.

Në pyetjet e tij, që kishin të bënin me sektorin e bujqësisë, ka dhënë përgjigje drejtori Ramiz Ramadani, ndërkaq të tjerat do diskutohen në seancat e ardhshme të Kuvendit.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se rendi i ditës për këtë takim të KPF-së është caktuar paraprakisht, në bashkëpunim me shefat e grupeve politike.

You Might Also Like