Futboll

Gjilani i mbanë leksion futbolli Vushtrrisë

Gjilani ka shënuar një fitore të rëndësishme dhe tash mbanë kreun në tabelë.

Gjilani shumë mençur ka luajtur në pjesën e parë, e cila nuk ka kaluar edhe pa problem. Në terrenin e rrëshqitshëm, ngase gjatë tërë kohës ka rënë shi, Gjilani ka qenë i detyruar që në minutën 40 t’I kryej që të tri zëvendësimet.

Fillimisht për shkak të një lëndimi është dashur që nga loja të largohet Frashëri, i cili është zëvendësuar me Kqikun, pak minuta më pas është lënduar edhe Aziz Keita, që është zëvendësuar me Salih Kosumin dhe në minutën 40 u lëndua edhe Tomisllav Bushq, i cili u zëvendësua me Halilin.

Ndryshe, Gjilani golin e parë e ka shënuar në minutën 18, kur pas harkimit të Gerhard Prognit, Rezak Keita u shtri për tokë dhe goditi topin me kokë, i cili u përlas në tokë dhe mbi trupin e portierit vendas u fut në rrjetë.

Edhe te goli i dytë pjesëmarrës ishte Progni, që gjuajti furishëm nga largësia, topin nuk mund ta ndal portieri mysafir, të cilit i rrëshqiti nga dora, kurse aty afër u gjet zëvendësuesi Halili, që nga afërsia e futi topin në rrjetë.

Vushtrria pati disa mundësi shënimi, por ose nuk qëllonin portën, ose topin e ndalte portieri Haxhihamza, andaj pjesëloja e parë u mbyll me rezultat 0:2 për Gjilanin.

Pjësëloja e dytë është zgjatur tejmase, ngase fillimisht është lënduar portieri i Gjilanit, Kenan Haxhihamza, kurse më pas edhe gjyqtari i katërt Burim Jahëmurataj është qëlluar me shkrepsë në kokë, prej ku i ka rrjedhur gjaku. Është dashur që të zbrazet tribuna për të vazhduar loja dhe krejt kjo ka zgjatur rreth dhjetë minuta.

Në minutën 80, Gerhard Progni bëri një shou të vërtetë, kur vuri në lajthitje tërë mbrojtjen e Vushtrrisë dhe me urti dërgoi topin në këndin e majtë të poshtëm të portës së Tahirit për rezultatin 0:3.

Në fund për shkak të ndërprerjeve, gjyqtari ka dhënë 11 minuta lojë shtesë dhe pikërisht në minutën 111, Raposhta qëlloi shtyllën e në topin e kthyer Kqiku ndërhyri ashpër dhe mori kartonin e verdhë, që për të ishte i dyti, andaj u desh të largohet nga loja dhe Gjilani mbeti me dhjetë lojtarë. Nga gjuajtja e dënimit, pas një skeme të organizuar mirë, me gjuajtje të furishme Shala shënoi një gol të bukur për rezultatin 1:3.

You Might Also Like