Gjilan

Gjilani me donatorët vunë gurthemelin shtëpinë e Veli Aliut, e 43-ta me radhë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri së bashku me donatorët, Ramadan Ramadani dhe Agim Aliu, me firmën “Vëllezërit Aliu”, kanë nisur sot ndërtimin e shtëpisë për familjen e Veli Aliut, i cili pos kushteve të rënda ekonomike dhe mungesës së shtëpisë, në familjen e tij ka edhe fëmijë me aftësi të kufizuara që lëvizin vetëm përmes karrocave.

Në fjalën e tij pas vënies së gurthemelit të shtëpisë së Veli Aliut, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar donatorët duke pohuar se sot është shtëpia e 43-të me radhë që ndërtohet dhe është për një familje me kushte jashtzakonisht të rënda dhe fatëkeqësisht me fëmijë me nevoja të veçanta.

“Falënderoj shumë donatorët, Ramadan Ramadanin, i cili është bashkatdhetar i yni nga Zvicrra dhe Agim Aliu me firmën e vëllezërve të tij, të cilët kanë vendosur ndërtimin e kësaj shtëpie. Kjo është shtëpia e 43’të me radhë që po ndërtohet për dy vitë e gjysëm. Kjo familje gjashtë anëtarëshe sot po e sheh punën që nisi për ndërtimin e shtëpisë dhe do të jetë një shtëpi e cila në aspektin e infrastrukturës, do të plotëson të gjitha kriteret për lëvizjen e lehtë edhe të fëmijëve që i ka me aftësi të kufizuara. Urojmë që Veliu tani e tutje të ketë më lehtë kujdesin për fëmijët e tij që kanë nevoja të ndryshme të jetës”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ai poashtu ka thënë se gjatë këtij muaji do të inaugurohen edhe katër shtëpi të reja, që janë pjesë e kontributit dhe angazhimin për zbutjen e problemeve me banim social, përkatësisht në Lladovë, një në Gumnishtë, një në Cërrnicë dhe në qytet.

“Njëkohësisht për një numër të madh të familjeve, Komuna e Gjilanit është duke paguar qerat mujore të banesave”, ka thënë kryetari Haziri.

E donatori Ramadan Ramadani, me të parë rëndësinë e madhe që kishte kjo shtëpi për familjen e dedikuar, shkurtimisht para gazetarëve ka thënë vetëm “Dhashtë Zoti, të gjithë të kenë shtëpi”.

Donatori tjetër Agim Aliu, ka garantuar që shtëpia e nisur sot në afatin më të shpejt të mundshëm do të kryhet nga firma “Vëllezërit Aliu”, dhe poashtu ka konfirmuar angazhimin e tyre në vepra të prekshme humane për të gjitha ata që kanë kushtet e rënda.

Ndërsa përfituesi i kësaj shtëpie Veli Aliu, ka potencuar se nuk kishte shtëpi të veten, nuk kishte kushte të duhura për të jetuar dhe kishte problemin e fëmijëve të tij që ishin të palëvizshëm.

“Nuk di tjetër çka të them, vetëm faleminderit shumë kryetarit, donatorëve dhe të gjithë atyre që kanë punuar që unë të kem shtëpi”, ka përfunduar shkurtimisht Aliu.

You Might Also Like