Komunikacion

FOL kërkon nga Ministria e Financave publikimin vlerave të parcelave të shpronësuara në autostradën Prishtinë-Gjilan

Prishtinë, 6 qershor 2019 – Lëvizja FOL ka monitoruar procesin e vlerësimit dhe shpronësimit të pronës së paluajtshme, gjegjësisht të parcelave në të cilat kalon traseja e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

FOL nga viti i kaluar përmes kërkesave për Qasje në Dokumente Publike ka kërkuar nga Ministria e Financave, konkretisht Zyra e Vlerësimit të Pronës së Paluajtshme që të bëj publike shumën e vlerësuar për shpronësim të parcelave private nga kalon kjo autostradë. Mirëpo Ministria në fjalë na ka refuzuar qasjen.

FOL konsideron se arsyetimi i Ministrisë së Financave për refuzimin e publikimit të këtyre të dhënave duke u thirrur në Nenin 12, Përjashtimet e së drejtës së qasjes në dokumente 1.2. sigurisë publike, 1.6. privatësisë dhe interesave të tjerë legjitim privat të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nuk qëndron.

Lëvizja FOL mendon që këto të dhëna duhet të jenë të hapura për publikun për dy arsye themelore:

1. Pronarët e kompensuar, apo ata që do të kompensohen, pranojnë mjete financiare nga buxheti i Republikës, pra nga fondet publike; dhe

2. Publikimi i këtyre të dhënave do të hiqte çdo mëdyshje mbi keqpërdorime financiare, apo keqpërdorime në procesin e vlerësimit të pronës së paluajtshme, nga ana e institucioneve publike dhe do e shndërronte të gjithë procesin në transparent dhe llogaridhënës.

Për më shumë, FOL posedon edhe Këshillën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Raportin e Avokatit të Popullit, të cilët rekomandojnë Ministrinë e Financave për publikimin e këtyre të dhënave.

Bazuar në këto rekomandime FOL kërkon nga Ministria e Financave t’i zbatojë këshillën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe së fundmi edhe rekomandimin e Avokatit të Popullit të cilët e thonë qartë se këto të dhëna duhet të jenë publike.

Megjithatë, në rast Ministria e Financave refuzon të na jap qasje në afatin e paraparë në rekomandimin e Avokatit të Popullit, FOL do i ndjekë të gjithë hapat e mëtutjeshëm ligjor derisa të realizoj të drejtën e saj për të pasur qasje në informatat të cilat duhet të jenë publike dhe do insistojë që Ministria e Financave të jetë më transparente dhe llogaridhënëse rreth shpenzimit të parasë se taksapaguesve të Kosovës.

Bashkangjitur gjeni edhe këshillën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale raportin me rekomandim të Avokatit të Popullit.

You Might Also Like