Libri

FLUTURIMI I SHQIPONJËS QË BËRI HISTORINË

Tregimi që fitoi vendin e tretë në konkursin përkushtues për Idriz Seferin

 Muhamet HALILI

FLUTURIMI I SHQIPONJËS QË BËRI HISTORINË

***
Megjithëse ishin rreze dielli të nëntorit, kur ato pikëtakoheshin në fytyrat e çdo qytetari, rrezatonin më fuqishëm, veçmas kur bashkëvepronin me buzëqeshjet dhe sytë e tyre ndriçues, forconin edhe më ngrohtësinë dhe shtonin gjallërinë në çdo shpirt njeriu.
Asnjëherë qyteti nuk ishte stolisur kaq bukur sikurse sot. Jo vetëm sheshet ishin skuqur nga flamujt ku valëvitej shkaba, që përherë krijon një ndjenjë madhështie në çdo zemër, sikurse që po e bënte mu edhe tani.
Festa e Flamurit po vinte me një të veçantë, në veten e saj. Po e sillte me vete një shtatore, për t’ia dhënë qytetit një vend nderimi, vend madhështie e përkujtimi për të kaluarën, por edhe një vend meditimi që do të shërbente udhërrëfyes për të ardhmen.
Në sheshin kryesor kishte hedhur shtatin shtatorja në bronz e njeriut kolos që pati Karadaku, një strategu e tribuni popullor, me të cilën krenoheshin mbarë trojet shqiptare. Ishte mbuluar si një nuse, me një pëlhurë të kuqe, duke pritur orën e madhe kur madhështia e tij do të shfaqej sërish, kësaj here para gjeneratave të tanishme që frymonin të lirë, për çka ai kishte gjakuar bashkë me patriotë të tjerë.
Në shtizën skaj shtatores, valëvitej edhe një flamur kombëtar i përmasave më të mëdha. Për dallim prej flamujve të tjerë, shqiponja në të, sikur përpiqej në çdo qastë të shkëputej e të fluturonte qiellit përpjetë. Nuk ishte thjeshtë një pëlhurë, por një shpend i gjallë me dy koka, një simbol i lashtë sa vet bota. Dëshironte fuqishëm ta çante qiellin fluturimthi.
Kjo adrenalinë e saj, sigurisht që ishte nga ndikimi i shtatores së krijuesit të historisë, pasi edhe ai sa frymonte, shpeshherë kthehej në një shqiponjë të tillë dykrerëshe për të fluturuar Karadakut, e për të vazhduar skaj më skaj trojeve të shqipes, duke tmerruar kështu, turkun, serbin, bullgarin… shumë prej të cilëve, iknin për në theqafje, pa kokë…!

***
Ca punëtorë në shesh po pastronin dhe rregullonin përherë të fundit ambientin skaj shtatores, për Ditën e Madhe, që po quhej ndryshe edhe “Ditë e Bardhë”. Kalimtarë të shumtë po i jepnin gjallëri qendrës së qytetit duke dëshmuar se këtu ka jetë. Zëri i muzikës që vinte nga lokalet e ndryshme të bënte të kuptosh që këtu ka nisur tani më edhe kremtja.
Rrugës nga stacioni në drejtim të hyrjes së qytetit, po ecnin me një ritëm të gëzueshëm një baba me të bijën e tij përdore, që për cak kishin hapësirën ku tani më kishin ra yjet nga qielli, për ta bërë vendin më të shndritshëm në qytet.
Vogëlushja ishte tejet kureshtare për moshën që kishte dhe pyeste për çdo gjë. E, babai durimtar, me kënaqësinë më të madhe ia shuante kërshërinë flokartës së tij të hareshme, të cilës buzëqeshja nuk i shqitej dot nga fytyra, duke i bërë edhe gropëza të vogla mollaqeve të faqeve të saja pikaloshe.
Quhej Shkurte, ishte vetëm nëntë vjeçe. Edhe ajo fluturonte si një shqiponjë. Vrapin e buzëqeshjen e zëshme si dhe këngën e hareshme nuk e ndalte aspak.
I sillej në të gjitha anët Kullës së Sahatit, donte pak histori për të, pastaj e dëshironte edhe një fotografi më shumë te shtatorja e Agim Ramadanit, si dhe mundësisht ndonjë rrëfim të shkurtër trimërie, nga lufta e fundit çlirimtare, qoftë edhe nëse ia kishin treguar më parë.
Pastaj, derdhej si ujëvarë, plotë gëzim, në drejtim të shtatores tjetër, për t’u përpjekur, me ato duart të vockla t’i përthekonte në përqafim, dy dëshmorët, idol të saj. Nëse nuk ia arrinte me duar ta bënte këtë, i mbyllte sytë për ta bërë këtë në zemrën e saj. E, kur mbushej shpirtërisht mirë nga ai përqafimit i ngrohtë, kërkonte me ngulmë, nga babai, edhe dy tri fjalë të reja rreth aktit heroik të heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Nuk ngopej dot nga këto historia që babai ia rrëfente pa përtesë.
Por, si një befasi e këndshme i erdhi në bebëzat e syve të saj, një shtatore e re, të cilën e pa për herë të parë sot, pasi, ditëve të tjera nuk kishte qenë aty.
– Uaaa! – ia bëri nga loçka e zemrës. E befasoi edhe fakti që ishte e mbuluar me pëlhurë të kuqe.
Diçka e re për të, por që syçkat e saja i vezulluan nga gëzimi, pasi e dinte se me këtë risi, do të vinte edhe rrëfimi i ri, kështu që do pasurohej edhe më, me dituri. Ajo donte përherë histori të reja për trimëri të padëgjuara deri në atë moment.
Ai shikim i saj zhbirues drejtë syve të babait, e bëri të panevojshme që pyetja të parashtrohej edhe me zë. Koka e saj e vockël, do të donte të mbushej me sa ma shumë të dhëna mbi heroizmat e trimave të kombit dhe këtë e dinte më së miri babai, i cili vetëm buzëqeshi dhe e ftoi drejtë ulëses në pushimoren që ndodhej skaj shtatores.
Ajo vendosi kokën mu te zemra e tij, me shikimi kah goja, e ai e mbërtheu në kraharorë mu si shpendi të voglin e saj. Për pak sekonda, një qetësi nxirrte në pah frymëmarrjet e tyre. Zakonisht një situatë e tillë ishte si një lloj koncentrimi apo shfletimi fletësh nga e kaluara, deri sa të gjendej ajo faqe që do i lexohej/thuhej të bijës.
E kuqja si gjaku e flamurit, si hipnozë ia pushtoi sytë dhe ia mbërtheu mendjen për ta dërguar në atë pjesë ku imagjinata derdhej si llavë. Për një moment iu duk se pëlhura e kuqe dalëngadalë po bije dhe se atë po e largonte vet dora e shtatores. U shfaq komandanti që, dalëngadalë, nga bronzi po shndërrohej sërish në një njeri prej mishi e gjaku!
Bëri pak hapa para, sa për t’u shkëputur nga bazamenti. Shikoi përmallshëm rreth e rrotull qytetin. Në sy i buronte mirësia e zemra i gufonte nga ata flamuj e shumtë, kuq e zi, që era po i valëviste si të luante vals me ta. Preku ballin e tij ngadalë, sikur t’i fshinte pikat e djersës, pastaj rregulloi pakëz edhe shallin e kuq përflakur mbi krye, rreth plisit të bardhë si qumështi. Mall shfaqi edhe për njerëzit. Oh, zot, sa dashuri të madhe ndjente për ta!
Derisa po e barte shikimin nga njëra fytyrë në tjetrën, qytetarët po i ktheheshin në bashkëluftëtarë të tij! Në këtë mes edhe babai i Shkurtës, drejt të cilit, tani më kishte drejtuar shikimin. E, atë, imagjinata e shpiu tutje në një arenë beteje ku tani komandanti që kishte para e që po e vështronte, u pushtua nga një ndjenjë rebelimi për ta shpërfaqë shpirtin luftarak të tij. Ai po qëndronte mbi një shkëmb dhe po u drejtohej ushtarëve plisabardhë.
– “Do t’i tregojmë Turqisë dhe Evropës se na luftojmë për trojet tona, për të drejtat tona, për lirinë tonë, e jo për mbret e jo për krajl…!”, kumboi jehonshëm zëri i Kreshnikut të Karadakut…!
– Babi, – thirri vajza për ta ndërprerë imagjinatën e tij. Dora e vogël e saj që u palos në faqen e tij, e freskoi dhe ia bëri me dije se ngjarjet që i zhvilloheshin në mendje, kishte filluat t’i shfaqte zëshëm edhe në realitet.
– Kush na ishte ky trim që s’donte mbret e krajl, por donte trojet, donte lirinë?! – pyeti tani Shkurtja.
Babai buzëqeshi, për t’ia lëshuar sytë shtatores, e cila megjithatë nuk kishte lëvizur nga vendi, e as shpaluar.
– Ai ishte trim i trimave, – u përgjigj shkurt babai, më tepër për ta ngacmuar kureshtjen e të bijës që ajo të parashtronte pyetje, siç bënte zakonisht.
Dhe, si herëve të tjera edhe kësaj here filloi loja, pyetje-përgjigje.
– A mos ishte piktor?! – pyeti ëmbël. goja e saj e vogël.
– Eh, po mund të thuhet! Askush më mirë se ai nuk i ka ngjyrosur me ngjyrë jete shtigjet e lirisë andaj mund të themi se ishte edhe një lloj piktori. E pikturoi atdheun me plotë ngjyra, të forta, të gjalla, ngjyra lirie që edhe kur dikush përpiqej ta ngjyroste me zymtësi kaltërsinë e këtij nën-qielli shqiptar, peneli i tij e kthjellte me të shpejtë…
– A mos ishte gjë edhe këngëtar?! – ishte pyetja e radhës e kureshtares që herë shikonte gojën e babait nga dilnin përgjigjet, e herë shtatoren e mbuluar, në përpjekje për ta imagjinuar si dukej.
– Ishte më i miri prej këngëtarëve! – vazhdoi përgjigjen babai.
– Kur zëri i tij jepte urdhrin për sulm, kushtrimin për çlirim, ndjehej tingulli më melodik që mund të prodhohej ndonjëherë nga notat muzikore. Krisma e pushkës së tij, përherë jehonte në harmoni me krismat e pushkëve të bashkëluftëtarëve kudo që ishin, e që ushtima e tyre depërtonte kudo trojeve shqipe, për ta lemerisur armikun të tërin…!
– Po, talentin e sportistit a e kishte?! – u shtrua pyetja tjetër e vogëlushes.
– Kampion kudo. Përherë i pari. Atletë i përkryer, – ishte përgjigja trinome e babait, për të shtuar edhe se dallohej për vrapin e tij.
– Vrap në Karadak, në Kaçanik, Pejë e Prizren…, kudo nëpër Kosovë, Në Lumë, Dibër, Preshevë, Malësi e Bujanocit, deri në Sanxhak të Nishit. Në Novi Pazar, Plavë e Guci… e ku jo tjetër Edhe në Shkup hyri triumfues… Ishte pra kudo, ku e lypte vatani. Ëndrra e tij për me e bë Shqipërinë, e bënte atletin më të mirë, që nuk e ndali vrapin asnjëherë, deri në frymën e fundit…!
– Sigurisht e kishim edhe mësues?! – vazhdoi me pyetjen tjetër nëntëvjeçarja kureshtare, por kësaj radhe me mimikën e tillë në fytyrë, që paralajmëronte se edhe kësaj radhe do të kemi një përgjigje pohuese nga i ati.
– Askush më mirë e më bukur se ai nuk na e mësonte se “atdheun duhet dashtë pa hile”, – dha përgjigjen babai, për të kërkuar kësaj here, që ajo t’i ndalte për pak pyetjet, sepse do të donte t’i tregonte diçka të rëndësishme.
– A e di edhe një të veçantë për këtë trim këtu?! Ishte kjo pyetja që tani u parashtrua nga babai për vogëlushen e tij.
Ajo vetëm i hapi sytë plotë kureshtje, ndërsa një “hë, babi!”, i doli nga goja lehtas.
– Gjyshi im, domethënë babagjyshi yt, ishte njëri nga ushtarët e këtij kreshniku!
– A e do një rrëfim për një aksion që e kishte urdhëruar ky trim, që ta bënin babagjyshi yt me shokët e tij?!
– Uaaa! – sërish doli nga goja e vajzës që, nënkuptojë si një “po, sigurisht!”, për t’u rehatuar pastaj sa më mirë në kraharorin e babait, e për ta dëgjuar kështu rrëfimin në ngrohtësinë e plotë atërore…!

***
Ishte zabullimë siç di të bëhej nganjëherë vetëm në kohën e grunajave. Drejt kodrës ngjiteshin një çetë prej afro 40 vetash, veshur në tirqi, e në pjesën e sipërme me këmisha të bardha, jelek pa mëngë, shumë prej tyre edhe me xhamadanë, si dhe me plisa të bardhë në kokë.
Një pejzash më të bukur kombëtar nuk do të kishim mundur as ta dëshironim, nëse nuk do të kishte diçka të çuditshme në këtë mes. E, kjo shpërfaqej sa herë flisnin ata persona. Gjuha e tyre, jo që nuk përshtatej me veshjen, por sikur i lëshonte një hije të rëndë asaj panorame. Ata nuk po flisnin me gjuhën e veshjes. Kjo bënte të dyshohej se pas tyre po fshihej një sherr i madh, një prapësi e ndyrë.
Nisur nga andej kufirit, ishin futur fshehtas në brendësi duke rrugëtuar kujdesshëm dhe përmes Ranillukut, tani po ngjiteshin në Karadak, për të përfunduar rrugëtim i tyre në kishën ortodokse të Pasjanit. Ishte çetë çetnikësh të maskuar si shqiptarë! Qëllimi i tyre ishte i lig. Donin ta gjuan gurin e ta fshihnin dorën, për t’ia lënë “kilen”, vendasve, që pastaj ajo t’iu shërbejë planeve të urdhërdhënësve të tyre në Beograd.
Natë e freskët kishte rënë mbi Karadak. Çeta çetnike, e dehur jo vetëm nga rakia, por edhe nga kënaqësia epshore që ndjenin sa herë u vinte ndërmend se si janë marr me pleq, gra, vajza të reja e fëmijë, e që një synim të tille e kishin edhe tani, argëtoheshin duke vallëzuar e kënduar në gjuhën e tyre.
Burrave syçelë e vigjilentë të Karadakut, nuk u shpëtoi pa u hetuar kjo e keqe që po u shkruhej. Zaten, armiku këso maskime i kishte përdorur edhe në raste tjera, andaj e kuptuan hilen e tyre dhe veprimet tmerruese që donin t’i bënin. Lajmëruan komandantin e tyre, njeriun e shndërrua tani në shtatore dhe me bekimin e tij, morën udhë për ta ndaluar të keqen para se të ndodhte.
Çetnikët ndonëse të armatosur bukur mirë, nuk e kishin menduar se këtu do t’u këputej zullumi dhe po u shkruhej fundi, një fund i keq për të shkuar me marre në botën e përtejme.
Trimat ia kishin qit rrethin, për t’i pasur të gjithë nën thumb të pushkës, për të mos e lënë asnjë pa u ndëshkuar. Dhe, plumbi i parë që krisi, gjeti për cak ballin e rojës, pastaj edhe pushka e dytë, si ta kishte të njëjtën dorë me të parin, e gjeti ballit e çetnikut tjetër. U shtuan krismat, rrebesh armësh. Bam, Bam…, nga të gjitha anët. Gjuanin tani të dyja palët. Bëhej luftë e madhe. Ndriçohej nata nga flaka e armëve…
Pas pak kohësh çeta e të ardhurve nuk i kishte më 40 vetë që qëndronin në këmbë. Shumë prej tyre ishin paluar përtokë, e të tjerët që qanë rrethimin, të prirë nga komandanti i tyre, lypnin shteg shpëtimi për t’u kthyer në vendin nga kishin ardhur. Por, shpresa e tyre shuhej dalëngadalë për të gjithë, sepse pas po u vinin plumbat e trimave të vendit që kishin vendosur t’i ndiqnin deri në njeriun e fundit zullumqar.
Sërish një betejë më e rreptë, tani zhvillohej në Gjylekar. Aty Babagjyshi, kishte marrë një pozicion të mirë dhe po e kërkonte tani kokën e kryekriminelit. Pasi mund ta kishte në shënjestër, e kishte lagur pakëz gishtin, për ta prekur thumbin e pushkës, sikur bekim. Kishte futur në shënjestër trupin e armikut dhe ngadalë gishtin tregues e kishte vendos në këmbëz. Derisa po e merrte në shenjë, në atë mënyrë që mos të kishte vend për huqje, nga goja e tij dilnin pëshpërimë fjalët:
– “Dragoljub, të erdhi fundi, ke pas qenë keq i mësuem me u marrë me pleq e plaka, të rinj e të reja. Me burra s’ta ka qit kurrë. Prite tani plumbin bre qen, në lule të ballit!”, – dhe gishti kishte ngrehu këmbëzën për ta prodhuar një baaam, që plandosi për tokë kryeçetnikun.
Fytyra iu kishte mbuluar nga gjaku, e iu kishte skuqur edhe pllaka në zinxhirin e qafës, ku shkruhej në cirilik, Nikoliç. K.D. Ai më nuk kishte lëvizur nga vendi.
Siç kishte treguar babagjyshi, me leje të komandantit, nga rreth 40 çetnikë, vetëm një e kishin lënë të gjallë të kthehej nga i kishin ardhur këmbët, jo për gjë tjetër, sa për të përçuar mesazhin tek urdhëruesit e tyre se një fat i tillë i pret të gjithë ata që ia mësyjnë këtyre trojeve arbërore, për të bërë krime, e me synimin për t’i pushtuar…!
– Uaaaa, – ia bëri Shkurta. Çfarë trimërie, çfarë heroizmi. Lavdi të rënëve, babi!
– Lavdi, – nxori zëshëm zërin edhe babai, për ta respektuar këtë nderim të vogëlushes.
– Të lutem më trego edhe pak, ndonjë histori ku trimëria e tyre ishte e pashoqë, – e luti tani e bija.
Duke e shikuar edhe njëherë shtatoren që po e bënte krenar dhe flamurin ngjitas saj, kërkoi nga vogëlushja, e cila edhe ashtu i pëlqente shumë të këndojë, t’i dëgjojë me vëmendje pak, vargjet të një kënge trimërie, që janë për një luftë të madhe që është bërë në Kaçanik, të cilën nisi ta këndojë, pas një shpjegimi të bërë për ngjarjen.
– Ky hero bashkë me trimat e tij, i tregoi armikut se kjo tokë nuk e duro pushtuesin Anadoll, që veç eshtrat mund t’i lënë këtu, po nuk u kthyen në Stamboll. Zaten, secili ushtar plisabardhë, i plagosur apo edhe i rënë dëshmorë në këtë betejë, paraprakisht, më së paku shtatë kokë turku i ka shënjestrua në lule të ballit…
Duke i gjestikuluar edhe me dorë taktet për të kapur ritmin, përmallshëm nisi vargjet e këngës së njohur që donte t’ia mësonte të bijës.

…Hej Kaçanik o shkamb e gur
Digjesh e pritesh për flamur!
Për flamurin e Skenderit
Luftojnë djemt’ e Idriz o Seferit!…

– A e di që ky trim bashkë me bashkëluftëtarët e tij mori pjesë edhe në çlirimin e Gjilanit?! – i tha babai të bijës, e cila veç se ishte thelluar në mendime për t’i memorizuar vargjet e porsa kënduara.
– Si UÇK-ja tani në luftën e fundit a?! – pyeti ajo me grimasë të habisë në fytyrë.
– Po, shpirt. Bile, ky një gjë të tillë e kishte bërë edhe në fillimvitin e 1881-tës e po ashtu edhe më 1912-tën.
– Të lutem më trego pakëz histori rreth këtij heroizmi.

***
Gjithnjë duke iu referuar rrëfimit të gjyshit, përcjell përmes babait, mësohet se ishte fundi i korrikut të nxehtë të 1912-tës, kur ky kryengritës, që na e ka hedhur shtatin, tani këtu në këtë shesh, bashkë me bashkëluftëtarët e tij e çliruan Gjilanin nga pushteti dhe administrata osmane-xhonturke.
Ngjarja rrodhi kësisoj. Pas marshimit të forcave kryengritëse drejt Kaçanikut, ishte zhvilluar një përleshje e hatashme me forcat osmane të vendosura në Grykën e Kaçanikut, të cilat edhe pësuan disfatë. Në radhët e armikut kishte humbje të mëdha. Por, nuk kishte kohë për t’u festuar fitorja. Në horizont dukeshin betejat tjera.
Trimat e vendit ishin mbledh në Pozheran e po kuvendonin. Aty krerët kryengritës vendosën për me i ra Gjilanit, me e mund armikun e me e çlirua nga pushteti osman këtë pjesë atdheu.
E kush më mirë se ky strateg i luftës, do ta përpunonte planin e betejës?! Ishte njëri ndër strategët kryesor të betejave për çlirimin e shumë trojeve shqiptare e tani po i vinte radha edhe Gjilanit.
Pas strategjisë së ndërtuar dhe pas përgatitjeve të nevojshme, me bekimin e tij, forcat e para kryengritëse prej dy mijë luftëtarësh ishin futur në Gjilan pa hasur në rezistencë të ushtrisë osmane.
Paramendoni, edhe pse në qytet ishte garnizoni me qindra ushtarë turq, nuk ua mbajti të ndesheshin me plisabardhët dhe nuk iu ndie zëri fare. Nga masa e madhe e kryengritësve shqiptarë, atyre nuk u kishte mbetur gjak në fytyrë dhe shpëtimin e vetëm e kishin, në të mos bërit rezistencë.
Ndërkohë, kryetrimi me dy mijë kryengritës të tjerë po qëndronin në rrethinën e Gjilanit, pasi po e ndjente rrezikun që po vije, andaj ishin bërë gati për betejë. Dhe, gjatë kësaj kohe sa po qëndronte jashtë qytetit së bashku me bashkëluftëtarët e tij, u ndesh me forcat osmane që po vinin nga Shkupi e Kumanova.
Pas luftimeve të ashpra, ku ishte ndezë flakë, tokë e qiell, turku u mposhtë. Në mesin e tyre shumë të vrarë e të zënë të gjallë. Po ashtu, në këtë betejë u kapën edhe armë e municion.
E, si të mos ishte betejë e suksesshme kur, derisa në mesin e ushtarëve turq kishte edhe dezertime të shumta, te kryengritësit shqiptarë bëhej “garë e madhe” mes tyre se, kush po del më përpara në vijën e parë të frontit.
Pas kësaj beteje të fituar, Kreshniku i Karadakut, në ballë të kryengritësve, hyri triumfueshëm në qytet, për të shënuar kështu, çlirimin e tij.
Pas çlirimit të Gjilanit, forcat kryengritëse po përgatiteshin për beteja tjera për t’ia dhënë goditjen e radhës Perandorisë, hasmit të vatanit, e kryetrimi po qëndronte për pak në Karadak, në këtë vend të bekuar, që siç thoshte ai. përherë “barut ruen në gji”, për t’iu ndie krisma, sa herë që këtë e kërkon vatani…!

***
E prekur nga e gjithë kjo histori, Shkurtja u ngritë e u nis kah shtatorja, preku pëlhurën e kuqe me ndjesinë e butësisë më të madhe dhe pastaj u tërhoq disa hapa mbrapa. Mori pozitën gatitu dhe bëri një përkulje përpara, të pjesës së sipërme të trupit, për të qëndrua për pak sekonda në atë pozitë. Një pikë loti ia turbulloi syrin, ndërsa fytyra iu vesh nga buzëqeshja, duke bërë me dije se, loti i saj ishte veçse lot gëzim.
– Do të vijë nesër, do të vijë, e do të përqafojë fort! – i foli i tërë trupi i saj filiz dhe duke kapur babanë për dore, nisi prapë lojën, për t’u lëshuar në vrap, me këngën dhe vallëzimin e saj të njohur, kudo nëpër rrugët e qytetit, që na ishin shndërruar në një ambient festiv, për manifestimin e madh të 28 nëntorit. Zëri i saj i çiltër po i nxirrte nga loçka e zemrës vargjet e sapomësuara.

Hej Kaçanik o shkamb e gur
Digjesh e pritesh për flamur!…

Shifra: n’Karadak!

You Might Also Like