Libri

FILOZOFIA POETIKE E HESHTJES

Mehmetali Rexhepi

FILOZOFIA POETIKE E HESHTJES

Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Përsiatje poetike; Argeta LMG, Tiranë 2018

Vëllimi “Sytë e heshtjes” brenda tridhjetë e tre kapitujve, aq sa thuhet se kishte zgjatur jeta tokësore, e shndërruar në hyjni, e Jezus Krishtit, ngërthen përsiatje poetike për filozofinë e heshtjes.
Koncepti i zgjeruar i heshtjes i poetit, romansierit, studiuesit dhe dijetarit, i profesorit universitar Anton Nikë Berishës, pikënisjen e valëve koncentrike të figurave dhe ideve në këtë libër, e ka shtrirë në dy përmasa paraprijëse jetësore e hyjnore: Nëna Tereze si model dhe variacionet e pambarimta të heshtjes. Qasja për t`i shpaluar ngërthesat, pamjet, zbërthimin e librit “Sytë e heshtjes”, të vë në mëdyshje të mëdha. Shtytja për një ndërmarrje të tillë e ka modelin e gjallë në zemër e mendje… Frymëzimi i pashuar buron nga një qenie tokësore, e cila me veprimet e përkushtuara për skamnorët, të sëmurët, të uriturit, të përbuzurit, të gërbulurit, të pashpresët, ngjalli dashuri dhe i vuri lidhjet mes globit lëndor dhe Hyjit. Nëna Tereze themeloi dhe përuroi rendin e njëmendët të njeriut për njeriun, antitezën e denjë kundruall asaj të Tomas Hobsit: Njeriu për njeriun është ujk! (Homo homini lupus est!)
Sytë dhe heshtja janë përqendruar fort për t`i zbërthyer pjesët e tyre të pashkruara, të shtresuara mijëra vjet, jo si mënyrë e diskurseve, por me arsenalin e begatshëm të gjuhës e të stilit figurativ. Si duket, duke lexuar e rilexuar tridhjetë e tre kapitujt e këtyre përsiatjeve, këtij autori shumëplanesh nuk do t`i mjaftonte depërtimi në sfera të ndjeshmërisë etike dhe estetike gjuha e diskurseve të prozës.
Secilit kapitull a poezi e formës mono-kolone të poemës “Sytë e heshtjes” e Anton Nikë Berishës, i prin që në krye të herës heshtja, konceptimi në trajtën e shquar, pos në kapitujt njëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë dhe njëzetetetë e hasim në trajtën nismëtare të pashquar.
Heshtja është koncepti themelor shumështresor i përsiatjeve, që e lidhin tekstin me nëntekstin me fije të dukshme e të padukshme variacionesh prodhimtare, për kapje pamjesh dritë-hijesh, fjalëzash, kontrastesh, gjendjesh shpirtërore, përfytyrimesh, faqesh gjysmë të ndritura e gjysmë të errëta, kredhjesh në trajta misteresh ontologjike të vetë-njohjes dhe Hyjit, grishje e përhershme dhe gjakim i pashuar pas shkëlqimesh të ngërthyera në konceptin fillestar të heshtjes.
Padyshim për ta përmbushur konceptin prijatar të heshtjes, duke mos iu shmangur formulës së përcaktuar, poetit i është dashur përvojë e disiplinë prej kërkimtari për depërtime në shtresimet e fjalës, gjithnjë duke e zgjeruar dhe dendësuar kornizën e konceptit për heshtjen, si kategori gjithëpërfshirëse, përcaktuese e pohimeve poetike… Përcaktimet këtu nuk u shtruan thjesht si diçka e radhitur për efekte retorike, por si frymë e shpirtërores, kredhje në universin e heshtjes, njëkohësisht për të pathënat e gjakimin e pengut të saj të madhërishëm.
Në këtë poemë heshtja nuk konceptohet si kategori e ngurtë, si një zjarr i shuar pa prushin që djeg ashtin e shkrin lëkurën. Pa u habitur, cikli i shndërrimit vijon: hiri i heshtjes kthehet përsëri në flakë e prush, sepse brendia e saj ka dallgëzime e drithërima të shpirtit… Poezia shfaqet pikërisht në paradoksin e saj poetik.

Përsiatjet për heshtjen, e konceptuar si poetikë e filozofi e saj, në poemën “Sytë e heshtjes” të poetit inventiv Anton Nikë Berisha, mëtojnë pleksjen e trinisë: poetikë, ontologji, imagjinatë. Gjithsesi sfondi i kësaj trinie është imagjinata. Trajtat e shprehjes artistike prore lëvizin në suazat e të së mundshmes relative. Universi i të pathënave është e pakufi. Pra, kurdoherë mbeten të pathënat, të cilave priren t`iu rreken dijetarë e poetë, secili me individualitet e veta të kundrimit të ndjeshmërisë, manifestimeve pararendëse në intuitën vijuese të akëcilit dashnor të shprehjes poetike. Poetët duke përplotësuar njëri-tjetrin në hapësira, kohë, mjedise e tradita të ndryshme të përmbushjes shpirtërore, matin pulset e ndjeshmërisë shoqërore…
Zgjerimin e konceptit poetik për heshtjen Anton Nikë Berishës ia mundësoi kultura dhe intuita e hollë poetike, e sprovuar qoftë në planin e gjerësisë ideore, qoftë për shkathtësinë e shtrirjes, lakimit e të tëhollimit depërtues të fijeve refleksive, të lidhjes tyre me përmasat universale të dukurive. Fjalori i kësaj poeme dendësohet me përbërës të shumtë kontrastesh, ritmesh, ngjyrash, me stilin e gjuhës figurative e të imagjinatës për t`i kapur dukuritë, shqetësimet, trazimet, ëndjet e ngazëllimin, dilemat, mallëngjimin e dëshpërimin e njeriut, zgripet e shpirtit e të qenies përherë të pangopura me dhuntinë e dritës, të trajtave të ujërave që rrjedhin stinëve… Era si çelës i sythave të blerimit dhe si shtrëngatë tmerruese, dhimbja si dëshmi gjallërie…
Leximi sipërfaqësor na shpie në mbresa të lajthitura, ngase anashkalohen kodet e ideve të pleksura në figura. Shumësia e ideve nuk mund të vishej vetëm me figurat e fjalës, qoftë personifikimi, krahasimi, simboli, hiperbola, metafora, epiteti, litota, ose me figurat e intonacionit e të përsëritjes, as me ato të diksionit e të eufonisë, si: pyetja retorike, apostrofa, asonanca dhe aliteracioni… Po ashtu, kësaj bote të ndërliqshme poetike i duheshin dhe figura të konstruksionit, si: inversioni, elipsi, shkallëzimi, e tjera. Posaçërisht i duhej arkitektura e një sintakse poetike të pa pushtuar.
Ideja pllenohet në kundërshti antitezash dhe nëpërmjet njohjes së vetvetes, të vërtetës, eksplorimit të jetës e të universit; si dhe në kërkime shkaqesh e zhvendosjesh paradoksale, lidhjesh të pashkëputura, fijesh të holla e të trasha, enigmash të cilave u sillemi vërdallë… Poeti ndjeshmërinë e subjektit poetik e pleks me përkufizimin mendor, prandaj, mbi përmasën e ndjenjave dhe të mendimit strukturohet poema “Sytë e heshtjes.”
Çka është heshtja në përsiatjet poetike dhe ontologjike të Anton Nikë Berishës?
Po t`iu qasemi mençurive të thënieve për heshtjen, në kontekste të rëndomta dhe në konteste vëlimesh e kundërshtish, madje për heshtjen si sublimë e urtisë; mund të silleshim në një qark të rrahur tematik, që nuk do të na shpinte as në thellësi, as në lartësi, as në shumësinë e ngërthyer të filozofisë, të poetikës e të estetikës… E duhura e kësaj urtie është trajtimi i qasjes nëpër kataraktet emocionale, të ideve rrafshit të tyre përcaktues, simbolikës kahes vizionare drejt begatimit të konceptit poetik, për sytë si e shohin botën dhe ekspresivitetin e hyrjes në brendi të heshtjes. Të përkufizosh variacione dhe konotacione, të cilat burojnë nga heshtja, në mënyrë dhe me mjete poetike, doemos duhej të kishe përafruar dy anë të botës: relievin e botës së ndjenjave dhe yllin rreze-artë të mendjes, për të hedhë shkëlqimin e dritës në skutat e errëta të universit të ndërdymes… Kështu ndërdyja e poetit shfaqet e komunikon si trajtë modeluese e dukurive, si një miniaturë universale.
Sikurse vëmë re gjatë leximit identifikues, përpjekjen për t’u identifikuar në këtë sferë vargimi të ndjeshmërisë, nuk e hasim si përpjekje për t`i mbi-ndërtuar thëniet e urtisë si përditshmëri e tipit: heshtja është kapak i argjendit; heshtja është varr; mandej konceptimet e heshtjes në konotacionet shoqërore: heshtja është miratim…; Heshtja është kapitullim; heshtja është kompromis; heshtja është tërheqje nga beteja; heshtje, do të thotë, fshehje e fajit; heshtja është mençuri; heshtja është ligësi; heshtja është padituri; heshtja është trajtë e injorimit; heshtja mungesë gatishmërie e përballjes; heshtja fsheh koruben e arkitekturës…

Në kapitullin e tretë vargëzues, poeti ngre pikëvështrimet e tij për variantet konceptuale të heshtjes. Ç`është heshtja?
Heshtja është të folurit pa zë,
pa tingull, pa zhurmë, pa lëvizje,
mbushullim fjalësh që të flasin
me gjuhën e shenjave, me pamje, me simbole …
Çfarë hasim kësaj udhe të kërkimit poetik? Gjithsesi vërejmë mësymjen e pandalshme të poetit për t`ia gjetur veshjen e përshtatshme poezisë së heshtjes, që joshet nga teoria për heshtjen. Përkufizimi i variacioneve të heshtjes përmes vargjesh herë-herë merr tipare teorike. Qëmtimi i figurave ngjyhet në lëngun e preferencave të diskursit teorik me mjetet e stilit figurativ. Mendimtari me dorën e tij finoke e tërheq poetin. Megjithatë, në vazhdën e shtjellimit poetik të Anton Nikë Berishës, libri “Sytë e heshtjes” nuk i nënshtrohet eseistikes, ngase do ta ruajë mëvetësinë, duke qëndruar prore në tabanin e natyrës letrare-artistike.
Natyrisht poezia e një kategorie dhe niveli të tillë artistik, nuk mund të ishte tërësisht e pastër, pa përvojën e sprovat filozofike, pa reflektimet e tej-përshpirtjes, të hyjnores, pa trysnitë e realitetit jetësor, të cilin poezia mëton ta fisnikërojë, ta humanizojë dhe t`ia japë në dorë librin e të urtëve të njerëzimit. Vijimit përkufizues për heshtjen poetike do t`i jepnin shtytje moria e konotacioneve, e pamjeve të bukurisë. Përmasës të së bukurës shkrim-kërkimtari do t`ia zbërthejë hiret, duke i dhënë ngrohtësi ujëvarës që e “mbroth shpirtin”, ndesh dallgëzimeve të liga të shëmtisë, mëdyshjeve e rreziqeve… Poeti përherë është në ballë të misionit të pashuar, herë si mister i lëbyrur, pa e ndier kumtin ngadhënjimtar në kohëra të zymta jetese, herë si mësymje për ta shpaluar bardhësinë e praruar mbi mua, mbi ty dhe në të tjerë. Heshtja si kategori estetike e të madhërishmes, ngërthen brenda vetës “lumin e dashurisë” dhe “liqenin e përdëllimit.”
Paqja e brendshme është njëra nga rrethanat fatlume për kundrime gjakftohta të kundërthënieve e të vlimeve ndër-njerëzore. Trajtimin e heshtjes si paqe “që duhet mbëltuar”, e përtrollit heshtja si trajtë e urtisë. Lakmia hyri mes njerëzve dhe, meqë u bë e pashmangshme pasoi trazimi i paqes e, njeriu përmbushet në bashkësi me paqen në shpirt e në shtëpi. Duke qenë premisë themelore kundruall trazimit, ajo me paqen e vet i zbut marrëdhëniet mes njerëzish dhe merr kuptimin e mirëfilltë sidomos kur i takon edhe tjetrit.
Diskursi për heshtjen si përmasë e shtrirjes zotëruese, sjell ëmbëlsinë e kontrastit të gjumit dhe të ëndrrave, kur vjen befas “e na i mbyllë sytë si erësim lulesh…” Metafora e heshtjes zbërthen kënaqësinë dhe shëmtinë, këputjen e ëndrrës së bukur nga vrazhdësia e zhgjëndrrës së jetës.
Kapitull pas kapitulli të veprës “Sytë e heshtjes”, poeti Anton Nikë Berisha i rreket cakut poetik, për t`i parë të gjitha anët e heshtjes. Në optikën e shkrim-qëmtuesit, heshtja e ka shtresuar gjakimin e pashuar për të madhërishmen, për të gjitha kategoritë e të bukurës, ndaj nuk ngurron për ta merituar bekimin e tokës e të qiellit edhe me aktin sublim të flijimit dhe, me brishtësinë e natyrës së cilës i përket:
është flijim i brishtë i frymësisë së fjalës
me dhjetëra ngjyrime tingëllimash pa zë
Duke ngërthyer gjakimin e etur, lumi i heshtjes rrëmbimthi përplaset në shkëmbinj, derisa të arrijë rrafshin e qetë të rrjedhës. Kështu heshtja merr konotacionin e durimit… Heshtja përplasjen nuk e shmang, por e hesht në përmasën e vet. Dy kuptimet: rrjedha dhe shkëmbi i përkasin heshtjes si simbolikë e gjallërisë ekzistenciale, si rrjedh dhe qëndresë.

Ç`është dashuria e konotacioneve të heshtjes e Anton Nikë Berishës? Në qoftë se thënia e diskursit shqyrtues artikulohet pasi të kalojë nëpër filtrat e logjikës, thënia poetike e zhvendos logjikën, për t`ua lënë mundësinë situatave paradoksale dhe antitezave të sendeve e dukurive. Aty ku nuk mund të qëndrojë rendi logjik i gjërave, kur situatën logjika e sheh të patejkalueshme, e tejkalon në mënyrën më radikale poetika e figurës ose figuracioni poetik. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se poetika figurative është rezultuese afektive e trazimit shpirtëror. Dëshmi për përtrollitje të këtij konstatimi janë vargjet e poemës “Sytë e heshtjes.” Sytë dhe heshtja një togfjalësh i thjesht, por brendia e tij vë në funksion shumësi pamjesh, ndodhish, dëshmi ndjeshmërie, konceptesh mendore, dhimbjesh, absurdesh, trajtash tragjike të ekzistencës, ngazëllimesh dhe udhë-rrëfimesh njerëzore. Te “Sytë e heshtjes” veshët, gjymtyrë për kapjen e ndijimeve të jashtme, nuk duken, por lihen për t’u kuptuar. Koncepti heshtje, po aq sa shikimeve, i ka lënë hapësirë dhe ndijimit, por sytë e poetit njëkohësisht janë shqisa ndjeshmërie, dyfish funksionale. Kjo ndjeshmëri në librin e saj të heshtur nënvizon pëshpërimat më zë-humbura, meqë nga egoja e vet ka përjashtuar kakofoninë, krismat, britmat, sharjen, mallkimin e zëshëm dhe gjëmën.
Kjo tipologji figurative është ngjizur me çiltërsi në krojet e kristalta të çiltërsisë… Boshti i togfjalëshit “Sytë e heshtjes” i kësaj poeme, është identifikuar në Modelin e syve përdëllimtarë të Nënës Tereze, përkatësisht të Shën Terezes.
Autori i përsiatjeve poetike vazhdon zgjerimin e konotacioneve për pamjet e heshtura, vazhda e të cilave pashmangshëm derdhet në detin e dashurisë:
Heshtja është thelbi i dashurisë …
Dashuria nuk i ka rrënjët vetëm në ndjenja, në mungesën e saj, në dhimbje, në gjakimin e kërkimet për të… Dashurinë e përshkojnë drithërima e përcëllimë flakësh, maja shigjetash të harkëtarëve; harkëtarë shënjestrash të ëmbla. Si e tillë, e dalë prej shpirti, e mbjellë hullive të zemrës:
është rruga më e shkurtër të mbërrihet te Hyji
Esenë e tij artistike poeti e drejtoi drejt lidhjesh të tokësores me Hyjin, me botën hyjnore si ndjeshmëri e përshpirtshme biblike, si sferë e të madhërishmes që na vëzhgon, qorton e përdëllen. Tokësorja dhe hyjnorja e dashurisë, e penës dhe mendjes të shkrim-qëmtuesit Anton Nikë Berisha, kushtëzohen pashkëputshëm me orbitën e syve gjithë-pamës,“Syve të heshtjes.” Është formulë e rëndomtë si për poetin, ashtu dhe për lexuesin se “dashuria nga dashuria rritet.” Antiteza e kësaj natyrshmërie do të ishte: dashuria pa dashuri venitet.
Cilësimi i heshtjes si dhunti, si thesar gjësendesh të çmuara, si vetëdije e pjekur, e fërguar për shije, e flijuar për të tjerët, e zbret autorin nga lartësia poetike e hyjnores në një shtjellim eseistik të udhërrëfyesit, të ligjëruesit për kahet e ecejakeve etike të njeriut, për ndërtimin e standardit qytetërues të vlerave njerëzore.
Cilit njeri i drejtohet ky poet?
Gjithsesi njeriu i këtij poeti ka tipare të këtij mjedisi, por komunikon edhe me mjediset e tjera, me brengat e përbashkëta të çdo ambienti. Tiparet e veçanta të personazhit ngërthehen në të përgjithshmet e personazheve, relievit të mjediseve, racave, feve dhe të etnive të ndryshme.

Kërkimi poetik përmes kësaj poeme merr kahen e ligjërimit të një udhërrëfyesi të sprovuar. Tashmë duket se ai udhërrëfyes është duke zbritur tatëpjetës relievit në fushën e parimësisë etike të Nënës Tereze. Këtu e hasim urtinë si diskurs që e tejkalon sferën e vet dhe merr rolin e një dizajnuesi të përzgjedhjes së veshjes, të asaj veshjeje që t`i ketë hije sedrës njerëzore, kulturore, etike e mençuruake; tejkalimit të ngushticave vetjake, shpirtërore, ngadhënjimit të së mirës. Apostrofa urtuake e shtyllës të filozofisë së Biblës bie mbi vatrën e durimit; pikërisht aty ku e ka burimin forca ngadhënjimtare e paqes të Homo sapiens-it.
Variacionet e heshtjes në morinë e përfytyrimeve të tyre, ashtu si nuk i kemi hasur në letrat e shqip-shkrimit, shfletojnë gamën e gjerë të poezisë me segmente mendore. Gjithsesi këso ndërtimesh të poezisë, me tekst e figura të dendura, ofrojnë qasje të hapura dhe depërtuese, oksimoron kuptimesh e zbërthimesh ontologjike. Autori shkruan mbi faqet e librit të vetë-njohjes e, na shpie në relievin e mendimit. (S)fondi i përsiatjeve poetike i poemës “Sytë e heshtjes” janë figurat e veshura me mendim.
“Heshtja është puhizë e brishtë” , domethënë lëmon lehtas gjethet e frytet, flokët e kallinjve të grurit, të lulediellit, të vashës e të djalit. Shtresa kuptimore ose semantike e heshtjes është termometri i ngrohtësisë shpirtërore, si impulse gjallërie dhimbjesh e gëzimesh, që hyjnë e dalin shpirtit dhe lënë vragë, plagë e mbresa… Atëbotë, do t`i bartim si barrë të rënda e të lehta, si këngë vaji e ngazëllimi, të cilave u fiket e ndizet drita, përderisa qetësia nuk ua ka hedhur dheun e amshuar për bimën e re…
Konceptimi i heshtjes si At Dhe Dashuri, si Mëmë Dheu, e shtyn unin e poetit t`i mësyjë testamentet e ngërthesave: rrënjët, trungun, degët, frymëmarrjen, gjethimet e ripërtërishme për formësimin e kurorave, drejtpeshimin e identifikimit, vijimit të qenësisë etike, rrokullisjen e gurit dhe lirimin e gjarprit nën gur, si ruajtës i kultit të shtëpisë. Pashmangshëm: heshtja si dashuri Mëmë Dheu është: “vargëzim që s`këputet asnjëherë…”
Dialektika e vazhdimit të identitetit dhe trashëgimia e të parëve, rishkrimi tri herë i togfjalëshit me shkronjë të madhe: “ të Parëve, të Parëve të të Parëve”, në kontekstin e poezisë e forcon dhe shtrin përtej mundësisë kohore theksin logjik dhe apostrofën e zgjeruar. Kësisoj, poeti duket se i ka kapërcyer klishetë e arealit gojor të vargut dhe, nëse shfaqet diku ndonjë nuancë e atillë është krejtësisht e asimiluar.
Çka është qenësia e lëngshme e heshtjes? Është intimja e shtresimit si mallëngjim, si gjendje e flashkët e përcëlluese, si eshkë bjeshke që nis djegien e subjektit jetësor e poetik.
Sytë “e lodhur nga pritja” e presin lamtumirën e një përfundimi, që dukej se nuk do të kishte fund:
por çdo fillim është nisma e një fundi
dhe çdo fund është fillimi i një nisme
Fillimi dhe fundi, fundi dhe fillimi janë brenda kornizave të heshtjes, të cilat i përligj dialektika e shndërrimeve të jetës nga trajta e gjallë në të vdekshme. Nisma e një vaji fëmije, pranvera e vrullit rinor, pjekja dhe tharja e lëngut prej pleqërie, janë hallka skajesh të njëjtit zinxhir…
Shkëlqimi i të bukurës josh dhe ushqen sinonimin e kobit të vet, si ëndje, gjakim, etje, epsh i pareshtur deri në përmbushjen e lakmisë, që autori e përmbyllë me hepy end. Ndoshta Ai mund t`i shmangej kësaj skeme, skemës së përfundimit të lumtur e, ta linte pezull retiçencën e vargut?
Orbita e heshtjes me fijet e saja i mbështjell ëndërrimet si realitet i papërmbushur, ose si zhgjëndërr e dëshirueshme, do të thoshim, gjakim e shkathtësi e tmerrshme për mbijetesë.
Poeti vazhdon shfletimin e faqeve të librit të heshtjes, të cilin e shkruajnë sytë dhe ia lexojnë heshtjes, si dëshmitare e paluajtshme. Shikimet e përqendruara të syve shënojnë lëvizjet ritmike të atmosferës së shpirtit dhe të natyrës.
Shkathtësia dhe kultura e poetit i dhanë dorë përzgjedhjes së hollë figurave e semantikës së tyre: heshtja dhe guaca ndërthurin gjerdanin e ndërvarjes sinonimike… Çfarë fshehin këto dy sinonime? E para: heshtjen e brendisë, e dyta: kureshtjen për brendinë e heshtur nën zhguallin e guaskës. Njëra ngërthen subjektin poetik, ontologjik, tjetra sublimen e natyrës, xhevahiret e detit. Që të dyja: heshtja si kategori e sferës abstrakte dhe, guaca si sublimë konkrete e qenies ujore, zbërthejnë bukurinë e filozofisë së heshtjes.

Dhimbjen në poezinë shqipe e vështruan një varg poetësh bashkëkohorë. Anton Nikë Berisha atë e trajtoi si përmasë e përhershme konkrete – jetësore dhe shpirtërore të njeriut. Si do ta trajtonte ndryshe këtë koncept themelor për njeriun? Doemos dhimbja është fondi jetësor i pashmangshëm, shenjë ndjeshmërie e gjallërie; prodhimtare e dendur tendosjesh dramatike, shtypje e shtysë vullnetesh e mësymjesh, antipod pandjeshmërie… Dhimbja është kategoria strumbullar e shumësisë shtresore poetike-estetike e shtresuar në kohë në durimin a ligështinë e karakterit; masë e burrërisë kur rënkimet, përgjërimet, lutjet, çartja i lihen në dorë një madhështie frenuese, sinonimit të durimit. Në këtë kontekst spikatet cilësia e burrërisë, ndërsa heshtja me jorganin e vet ia mbulon dhimbjes gjymtyrët e molisura.
Sprovimet ekzistenciale, ku zotëron heshtja, ngjiten e zbresin në peshoren e ndërgjegjes, ngjashëm dilemave të artit hamletian: të jesh a mos të jesh ai i vërteti, të jesh ai i ëndrrës ose t`ia mundësosh asaj zhgjëndrrën e përgjumjes?… Kësaj hapësire të papërcaktuar të gjallimit rritet e majmet krimbi i dyshimit dhe mëdyshjet gërryese të trurit. Vijueshëm kontrasteve të ashpra të ekzistencës, huazohet përvoja e artit të madhërishëm të William Shakespeare, në vargun e parafrazuar, të shkëputur nga “Ëndrra e një nate vere.”
Anton Nikë Berisha gjithnjë ka parasysh modelin parashikues të fenomeneve njerëzore, sipas tipologjisë së Nënës Tereze, të kësaj Mësueseje të devotshme për njerëzimin, prandaj, shkrim-kërkimtari eksploroi vargun e konotacioneve të drejtpërdrejta: çfarë janë dhe si e panë jetën në rrjedhat e saj sytë metaforikë të togfjalëshit të ngërthyer në “Sytë e heshtjes”?
Heshtja në variacionet e saj paraqitet si qenësi e rrojtjes me virtyte, a sikurse e modeloi poeti:
as në ëndërr nuk duhet të pish
ujin e turpit që e nxit shprishjen, shembjen …
Kjo frymë e përshkon në tërësi poemën, sintetizon virtytet më të pastra të karakterit njerëzor: mirësinë, urtësinë, çiltërsinë, burrërinë, shpirtgjerësinë, marrëdhënie cilësore mes njerëzish. Mirëpo, kujdes: udhës së gjatë e përkohshmja e cilësive, të mos digjet sikur zjarri me kashtë!

Në rrjedhën e heshtjes për të madhërishmen, për trajtat e të mirës, për të bukurën, për dhimbjen, për flijimin dhe tragjiken plekset heshtja si estetikë e ligësisë, si e keqe e përmasave nga më të ndryshme. Smira në brendinë e saj “rrit nepërkën”, e cila kërcënon përmes strofkës, që ngre në shpirt e i jep zjarr urrejtjes, shpërfilljes dhe nxjerr në sipërfaqe të dheut urithin “shpërfillës”, merimangën “tinëzare”, që i shtrin rrjetat skutave e këndeve për ta kapur gjahun e vet.
Heshtja, si sprovë e sprovimit të rëndë, për ta ruajtur të fshehtën e shtyn idealistin në zgripe të honit… Karakteri i fortë dhe sadizmi i skajshëm e thyejnë qenien fizike të heroit. Atij i kushtëzohet domosdoja: të mos kesh gjuhë, të mos kesh gojë dhe të jesh si guri. Të lidhësh gjuhën, të mos çelësh gojën… T`ia falësh trupin torturës të sadistit, pa iu lutur, pa iu përgjëruar për falje dhe mëshirë se ke:
dy gisht fytyrë e bëhet fushë e pa skaj,
ku dhe djalli i dehur zellshëm do t`vallëzojë
Kush mund të jetë i tillë, që trupit, i cili mban jetë, t`i thotë: lamtumirë, shpirtit: ndizmi ato hire?! Është Ai të cilit i përulemi dhe në pllakën prej guri i vëmë lule…

Në ligjërimin vijues poetik të librit “Sytë e heshtjes”, heshtja merr trajtën e foshnjës së njomë, me hiret e buzëqeshjes e të gëzimit. Ajo hyn në botën time, në tendën, në të atyre për t`i zmbrapsur, qoftë përkohësisht, brengat, shqetësimet dhe jetesën mes sosh. Foshnja e heshtjes t`i jep doçkat e buta pikërisht kur të kaplon shiu i pikëllimit, acari i dëshpërimit, agimi i zbardhjes së territ, bukuria e rrezeve, ngjyrat, ritmet e ditës e të frymëmarrjes së lirë, erë-dehja…
Ngërthesat e së kaluarës i grish dhe i mbart heshtja. Arkivimet e kujtesës në thellësi të kohës, në thellësi të heshtjes, ku më shumë e ku më pak, nxjerrin krye në morinë e ngjarjeve, bëmave e flijimeve, që patën forcë t`i ruajnë shenjat në gurë, pergamena, pllaka, në arealin kolektiv, mandej të shkruar në mendjen libër. Madhështia e tronditja, absurdi dhe qartësia u sintetizuan në korpuse vëllimesh të heshtjes…
Kureshtja e udhërrëfyesit Anton Nikë Berisha shpie te heshtja brenda botës sonë të vogël. Ajo heshtje shtreson dritën e pafund dhe, atë dritë e kishte huazuar nga shkëlqime yjesh, duke ia shtuar shkëlqimit edhe ngrohtësinë. Ngrohtësia, pos dhuntisë së dritës, do t`ia falë syrit vaktësinë e lotëve, pikëllimi i të cilëve ujit lulet erëmira.
“Sytë e heshtjes” ligjërojnë të përhershmen që mbetet pas ndodhjes… Ata sy mëtuan të prekin e kapin anët e dukshme edhe në të errëtën e heshtjes. Çfarë heshtje është kjo? Një si shkretëtirë e pafund, kur nuk mund të lëvrosh të vërtetën, kur pranë ujit ke të pashuar etjen…
Si mund të qetësohet trazimi i shpirtit më mirë se në heshtje? Këngës në heshtje i laget dhe thahet fytyra, ndaj përmes figurës së krahasimit “si shi i muzgët mbërthyer nga terri” , ushtima, shkreptimat, bubullimat, gurrat e plagëve të hapura rrjedhin, por i mbërthen, i fashit jetëgjatësia në kufijtë e heshtur të heshtjes. Gjithë-kohës së njeriut i mbetet tharmi i dashurisë; zanafilla dhe përmbyllja, pastaj sërishmi dashuria…
Heshtja dhe vdekja janë “hije gurëzuese”, diçka tinëzare që të kapin, të nguliten si shigjeta të helmatisura, të mbërthejnë, të shprishin mendjen, t`i shtangojnë gjymtyrët, e zhbëjnë buzëqeshjen me shpatën e një kalorësi; është një “rrjetë e mynxyrtë, gjyq i fundit i ndërgjegjes …”.
Këto përsiatje poetike me shtjellime hapjesh tematike e motivesh të shumta, sjellin përballjen e njerëzimit me ligësi të ndryshme. Përballja me ligësinë tënde, të këqijat të cilat nuk të falen, nuk të anashkalojnë… Kështu ndodh kur ndërgjegjja jote e zgjuar nuk të falë. Është një ëndërr e trishtuar, që nuk e ka pas zhgjëndrrën; është një akt i kapërcimit tej kësaj bote sa ” një fluturim zogu prej degës në degë”
Konotacionit përmbyllës të heshtjes i shkurtohet udhëtimi meditativ. Përmbyllja të shpie në amshimin e përhershëm… Fiken shikimet, ngadhënjen heshtja…

Akti i përmbylljes

Shqyrtimi i poemës “Sytë e heshtjes” i poetit e romansietit Anton Nikë Berisha të ofron mundësi të shumta qasjesh, këndvështrimesh e reflektimesh figurative, tematike, estetike, stilistike e filozofike. Ana figurative e gjuhës së këtij poeti karakterizohet nga dy anët e medaljes…
Përvoja stilistike dhe kërkimet e pareshtura, qëmtimi me shije, kulturë dhe intuitë depërtuese në thelbin e dukurive e të çështjeve, këtij poeti i mundësuan ta pasurojë shprehjen artistike, duke sjellë margaritarë ndërtimesh figurative në letrat e shkrimit shqip. Vargu i këtij shkrim-qëmtuesi dendësohet me ngërthesa figurash të bukura e reflektuese; të tilla sikurse kjo tipologji e vargut:
kur sythojnë gemat si buzëqeshje fëmije
Filozofia jetësore, etike dhe estetike e kësaj poezie dëshmohet përmes tekstit; e ndërtuar asisoj, që lyp përqendrimin dhe kulturën e një lexuesi të formuar: për tekstin, nëntekstin dhe tërësinë e ngërthesave në artin poetik.
Përshkallëzimi i tekstit të poezisë së Anton Nikë Berishës, për kaq sa u tha e sa do të thuhet, arrin majat e artit elitar.

You Might Also Like