Viti

Fermerit nga Sllatina e Vitisë nga një sëmundje “misterioze” i ngordhin 80 krerë dhi

Fermeri nga Komuna e Vitisë,përkatësisht nga fshati Sllatinë Shaqir Mustafa, tash e disa ditë ka një hall të madh në fermën e tij. Atij për pak ditë i kanë ngordhur mbi 80 krerë dhi për shkaqe ende të panjohura, sipas tij. Madje, në kopenë e dhive ka edhe disa dhi dhe edha që janë prekur nga sëmundja dhe rrezikojnë të ngordhin.

Fermeri i dëmtuar, ka frikë se të gjitha dhitë që i ka në kopenë e tij do t’i ngordhin pasi thotë se një sëmundje e rëndë që i ka prekur ato po i rrezikon të tjera të cila janë të shëndosha. Sipas Mustafës ka gati dy javë që po i ngordhin bagëtitë për cdo ditë.

“Mbi 80 krerë dhi veç kanë ngordhur, janë groposur, kanë një sëmundje të rëndë. Janë bërë disa analiza, dhe janë dërguar në një laborator në Prishtinë”, tha ai, Ai ka thënë se Inspeksioni i kësaj komune kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndihmuar atë që kafshët e ngordhura të groposen, por ka kritikuar komunarët e Vitisë, Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) , për siç thotë ai neglizhencë ndaj këtij rasti të rëndë. “Nuk dimë çka kemi me bo, nëse ngordhin edhe tjerat po mendojë me i dërguar para komunës, Kryetari është shumë mashtrues. Po kërkojë që kryetari me marr masa me fol me ata të Ministrisë së Bujqësisë, mos me u shpërnda më shumë sëmundja, me dit ku është problemi. Kryetari Sokol Haliti, as që ka ardhur me na pa e për vota vjen i pari”, u shpreh Mustafa. Drejtori i Inspeksionit në këtë komunë, Skënder Ahmeti, ka deklaruar se kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me këtë rast. “Atje me të vërtetë është një gjendje alarmante, kemi marrë masa aq sa kemi kompetenca. Është kompetencë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që ta përcjell këtë situatë. Janë marrë mostra për analiza për të kuptuar pse kanë ngordhur ato dhi, dhe ka dal me një diagnozë, ka të bëjë me një sëmundje të mushkërive, por fermeri nuk është i kënaqur me këtë konstatim pasi ka dyshime tjera dhe do të bëjë hetime tjera.”, tha Ahmeti. Ai tha se i takon Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që të merret me këtë rast pasi dëmi është tejet i madh dhe kërkohet trajtim i veçantë i kësaj sëmundje. Ndërkaq Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) është duke u marrë me rastin, ka marrë mostrat e kafshëve të ngordhura dhe i kanë çuar në laborator për hetime të mëtutjeshme. Pronari i fermës, Shaqir Mustafa,i bën thirrje komunës dhe institucioneve shtetërore, t’i dalin në ndihmë. Për detaje të tjera se çfarë po ndodhë në këtë fermë do të njoftoheni në ditët në vijim. Aziz Zuka

You Might Also Like