Libri

Fat tjetër për librin

 Mehmetali Rexhepi

Miq të çmuar të librit!

Shkrimi merr shtytje brenda dy faktorësh: faktorit kohë dhe jetë. Faktori i parë me shumëçka e kushtëzon të dytin… Njeriu i shkrimit është rob i kërkesave dhe kërshërive të tija, andaj bezdia e tij mund të të prishte edhe me më të dashurën e jetës…

Jeta hap hulli dhe lyp të mbjellat e saj. Të mbjellat kërkojnë farë cilësore, mandej: as thatësi, as ligatinë, diell dhe shi, as për tu djegur, as për tu kalbur. Korrjen dhe shirjen e të mbjellave e bëjmë së bashku me lexuesin.

Brenda faktorit kohë, nga e mbjella deri te korrja a vjelja, futen gafe dhe skajshmëritë e stinëve, humb vrullin prirja, zbehet pamja e ndjeshmërisë, kallinjtë e ideve mund të mos jenë veshur me kokrra frutash, shkunden nga shtrëngatat e motit dhe të njeriut…

Shkrimi ka çmimin e jetës. Për tu bërë libër, shkrimi ka koston e vet, por kostoja më e shtrenjtë është mos leximi, injorimi i librit.

Lexues të çmuar! Ju bëni dhe zhbëni shkrimtarët! Pohimi kapet si konstatim paradoksal, por pa ju: miq lexues, ne do të bënim monologun e pa fund të pritjes së ardhjes të dialogut. Monologu pa dialog i ngjan absurdit të Beketit. Padyshim, mos leximi i shkrimit është vdekje e heshtur e tij!

Andaj, në qoftë se kemi arritur të quhemi shkrimtarë, këtë gradë e jepni ju! Gjithsesi, në anën tjetër të këtij diskursi, fare pranë është vdekja, sikurse këmisha në trupin tonë. Varet prej jush: a do të na mbani për të tillë!

Në këtë diskurs, me gjithë respektin për kritikën si institucion parësor i vendosjes së rendit të vlerave, nuk do t`ia lejoja asaj karrigen e arbitrit. Kritiku dhe kritika do ta bëjë përzgjedhjen e vet. Më intereson lexuesi, receptuesi i heshtur, ai anonimi, por jo anonimusi. Kureshtja do të duhej të rrinte zgjuar për urtarin që nuk të përkëdhelë, nuk të mburrë; për atë të madhërishmin pa politesë, për absorbuesin e të bukurës dhe të së madhërishmes.

Si duket prore kemi mësyrë të bukurën pa e gërshetuar me të madhërishmen. Bukuria pa të madhërishmen gjithnjë mbeti e brishtë, duke mos i përballuar madje as acarit të parë dimëror…

Ecja këtij rrafshi doemos shtron pyetjen: a kemi arritur ta vëmë lidhjen e pashkëputur mes asaj, ose atij, lexuesit të heshtur, të panjohur, por me të cilin na identifikon magjia e shqiptimit të pazëshëm të shtatë zanoreve dhe njëzet e nëntë bashkëtingëlloreve me ndjesi fisnike, me dashuri njerëzore të pakufi; gjithnjë për t`iu shmangur egoizmit, indiferencës, lakmisë, urrejtjes, grykësisë, krimit dhe diktaturave të të gjitha ngjyrave.

Ritmet e jetës dhe epoka e internetit, në garën e përsosjes së jetës, vallë a mos ju duket sikur e tallin ngathtësinë e librit letrar?! Ndaj shkrimtarë: lypjani një fat e dinamikë tjetër imagjinatës dhe realitetit të pa eksploruar rreth nesh…

Çfarë të bëjmë për të mos ngelur në të njëjtën klasë?

Gjilan, më 18 nëntor 2017

You Might Also Like