Gjilan

Erlehta Osmani, kandidatja më e re e PDK-së mbledh në një vend të gjithë kandidatët e Anamoravës

I ka hyrë seriozisht garës për t’u zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës dhe këtë të mërkurë Erlehta Osmani e kë dëshmuar këtë duke mbledhur në një vend të gjitha kandidatët e Anamoravës nga PDK për deputetë e gjithashtu duke mbledhur edhe qindra simpatizantë dhe votues të PDK-së.

Salla e hotelit “Kristal” ishte e vogël për t’i zënë të gjithë, kurse kandidatja Erlehta Osmani, ka treguar se përse kishte zgjedhur këtë vend për të promovuar vetën dhe kandidatët tjerë. Sipas saj, ky vend lidhet me rrugëtimin e saj politik, ngase aty për herë të parë si e vogël kishte festuar fitoren e PDK-së dhe se këtu do ta bëjnë kthesën e madhe të PDK-së me Kadri Veselin, kryeministër. Në këtë vend ajo gjithashtu ishte zgjedhur kryetare e Rinisë Demokratike në Gjilan, andaj këtë vend e cilësoi vend të fitoreve.

 

Në këtë tubim janë prezantuar kandidatët për deputetë: Arben Bislimi, Izmi Zeka, Farush Azemi, Leonora Morina – Bunjaku, Uran Ismajli, Bekim Azizi, Isa Agushi, Ibadete Ahmetaj dhe Riad Rashiti.

Fillimisht, Qemajl Mustafa, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, ka thënë se të rin jtë gjithmonë ishin në ballë të ndryshimeve, kurse kandidatët nga Gjilani janë secili më i mirë se tjetri. Ai ka paralajmëruar një garë të ngjeshur, të ashpër e të ngushtë, andaj ka kërkuar që të votohen njerëzit e Anamoravës që kanë vlera, që janë të spikatur dhe nga të gjitha profilet, sepse Kosovës i duhen ndryshime, e ndryshimin po e kërkon rinia e Kosovës.

“Duam shtet të fuqishëm, andaj duhet të votojmë njerëzit e duhur nga Anamorava dhe për Kadri Veselin, kryeministër, i cili do të bëjë kthesën e madhe”, tha Mustafa.

Secili nga kandidatët është paraqitur me mesazhet e tyre:

Leonora Bunjaku: “Askush nuk di dhe nuk ia del me mirë se lista e PDK-së. Rinia dhe Gruaja Demokratike i kanë sytë nga ne. Ëndrrat e fëmijëve tanë vetëm më PDK-në do të bëhen realitet. Do të jemi zë i fuqishëm i Anamoravës”.

Arben Bislimi: “Rinia i hoqi mëdyshjet se ne do të jemi fitues. Do të luftojë kancerin e kësaj shoqërie, që është korrupsioni, nepotizmi dhe shumë të këqija të kësaj shoqërie”.

Izmi Zeka: “Ndryshimet i bëjnë ata që kanë vullnet. PDK do të bëjë kthesën e madhe, andaj votat lini në Anamoravë”.

Farush Azemi: “Iu bashkova politikës pas angazhimit të Kadri Veselit për të bërë ndryshimin që po e presim. Votoni kandidatët e Anamoravës”.

Bekim Azizi: “Në Viti e kemi sos me fitue. Le të na bashkëngjitet edhe Gjilani dhe Kamenica, ngase kandidatë më të mirë në Kosovë nuk ka”.

Isa Agushi: “Sa isha në LDK e pash se isha në vendin e gabuar. Ika nga sulltanët dhe të vërtetën dhe shokët i gjeta në PDK dhe te Kadri Veseli, që është burrë i fjalës”.

Ibadete Ahmetaj: “Bota u takon atyre që guxojnë. Zgjidhni më të mirët”.

Riad Rashiti: “Familja Osmani gjithnjë ka dhënë shumë për PDK-në. PDK bënë kthesa të mëdha, andaj do të arrijmë fitoren e madhe”.

Uran Ismajli: “Këto zgjedhje janë të rëndësishme për shumë procese. Kemi ofertë të mirë nga Anamorava, andaj mos e humbisni rastin, sepse Anamorava ka përfaqësim shumë të mirë me këta kandidatë. Pa PDK-në në krye të qeverisë me PDK-në u krijuan tema të parëndësishme u humbën tre vite me demarkacionin, u humbën me taksën dy vite. Vetëm Kadri Veseli e ka në zemër Kosovën”, ka thënë Ismajli, që ka folur edhe për të arriturat në Ministrinë e Shëndetësisë, ku sipas tij u bë punë e madhe dhe u kursyen dhjata miliona euro.

Erlehta Osmani, është shprehur e bindur në fitoren e PDK-së dhe me Kadri Veselin kryeministër./kryelajmi.com/.

You Might Also Like