Sportet me dorë

Ekipi i gjilanasit Mitat Ferati, nuk ka të ndalur në Zvicër 

Ata po marshojnë pandalshëm drejt kreut. Nëntë ndeshje të zhvilluara, prej tyre tetë fitore, gjashtë në ndeshjet kampionale e dy në garat e Kupës së Zvicrës.Ky është bilanci i Klubit të Hendbollit BSV RW Sursee, ekip zviceran. Dikush mbase mund të pyeste e çka ka të bëjë ky ekip me Kosovën, kurse këtu urë lidhëse është kryetrajneri i këtij ekipi, gjilanasi Mitat Ferati, dikur lojtar i njohur i KH Drita, por që në vitet e nëntëdhjeta kishte emigruar në Zvicër, vend në të cilin ai kishte bërë karrierë prej lojtari e trajneri.

Mitati te ky ekip ka krijuar një fizionomi të shkëlqyeshme të lojës e këtë nuk e fshehin as gazetat zvicerane, të cilat pos lojës shkruajnë edhe për ngazëllimin e publikut, të cilët kishin ardhur për të përcjellë ndeshjen e fundit në Stadthalle, ku së pari kishte ngadhënjyer ekipi i vashave me rezultat 13: 8 ndaj ekipit TV Dagmersellen e më pas meshkujt ishin shumë bindës ndaj HSG Myth Shooters me 34:23.Sulmet e shpejta të Sursee rreshtuan janë veçori e këtij ekipi, që trajneri Mitat Ferati i zbaton gjithnjë, kurse edhe mbrojtja e çeliktë e veçon këtë ekip, që gjithashtu edhe portierët i ka të shkëlqyeshëm.  Këtë ekip e presin edhe ndeshje të tjera në kampionat e për kupë e kryetrajneri Mitat Ferati, beson se edhe këto sfida do t’i kalojë me sukses.

You Might Also Like