Futboll

Dy vëllezër që synojnë majat e futbollit evropian

Ekipi i madh gjerman Borusia Dortmund ua ka lënë derën hapur, që në një të ardhme të jenë pjesë e këtij gjiganti të futbollit evropian. Ata e kanë provuar se çfarë është të ushtrosh në një ekip të madh dhe tashti po punojnë që ëndrrën t’a bëjnë realitet. Në qëllimin e tyre e kanë edhe përkrahjen e familjes dhe të ekipit ku ushtrojnë, andaj me të drejtë shihen si e ardhmja e futbollit gjilanas dhe atij kosovar.

Bëhet për dy vëllezër Lirik dhe Liburn Terziu, të cilët me të drejtë synojnë majat e futbollit evropian. Të merren me futboll e kishin nisur si shumë të rinj, fillimisht në KF Gjilani, për të kaluar më pas në G.S. Gjilani e tash së fundmi te FC Drita. Të dy kanë qenë fitues të shumë medaljeve në gara të ndryshme, ata u shpallën lojtarë të ndeshjeve, lojtarë me të mirë të turneut e epitete të tjera.

Cilësitë e tyre i shfaqën edhe në kampin që e kishte organizuar FC Barcelona, ku u vecuan për shkathtësi, Liburni si mesfushor i lindur e Liriku si sulmues i krahut, ku kishte marrë nofkën “i pamëshirshmi”, ngase para portës nuk falte asnjëherë.

Falë Qendrës Sportive AFF, atyre iu mundësuan provat në Borusinë e Dortmundit, ku këta dy futbollistë të rinj qëndruan tri javë dhe nga akademia e këtij klubi janë vlerësuar shumë lartë dhe atyre u është thënë që për cdo vit, deri në moshën 16- vjeçare të paraqiten në akademi, për të qenë nën vëzhgim të tyre. Natyrisht se një gjë e tillë paraqet edhe barrë për familjen, por tashti kur faza e parë është kaluar shpresa është shtuar, andaj duhet më shumë punë e më shumë përkushtim që të arrihen rezultatet.

Liburni dhe Liriku janë të përkushtuar shumë pas futbollit dhe pos në fushë me trajnerët e tyre, ata ushtrojnë edhe në shtëpi, ku ushtrojnë në përgatitje në aspektin fizik, ngase aty posedojnë pajisjet adekuate për një gjë të tillë.

Shpendi, babai i këtyre dy futbollistëve të talentuar, thotë se përkundër vështirësive financiare, ai është munduar që fëmijëve të tij t’ua plotësojë kushtet e nevojshme si me pajisje sportive, ashtu edhe me pjesëmarrje nëpër kampe të ndryshme. Ai thotë, se tani që fëmijët e tij janë pjesë e FC Drita, ata po mbështeten edhe nga klubi e në veçanti nga trajnerët, të cilët po u mundësojnë atyre që të tregojnë talentin e tyre.

“Unë si prind po mundohem që t’i mbështes Liburnin dhe Lirikun në ëndrrën e tyre, duke u përpjekur që t’ua plotësojë të gjitha kushtet, duke i motivuar ata dhe duke u dhënë përkrahje”, thotë Shpend Terziu, derisa përcjell djemtë e tij gjatë ushtrimeve po në fushë, cdo natë edhe në shtëpi, duke bërë ushtrime plotësuese në arritjen e forcës fizike, ngase kërkohet punë e madhe deri në kohën kur ata do të bindin menaxherët e klubeve të madhe se e meritojnë të jenë pjesë e ekipeve të tyre.

Liriku shquhet me qetësinë e tij. Edhe pse shënon shpesh ai është më i matur në festimin e golit, dëshiron të respektojë edhe kundërshtarin, për dallim nga Liburni që është tip krejt tjetër. Lirikun e shquan forca dhe këmbëngulësia, përderisa Liburni shquhet me mençurinë dhe imagjinatën si mesfushor, të dyja këto karakteristika të lojtarëve të mëdhenj.

Liburni, Liriku dhe futbolistët e tjerë të rinj duhet të mbështeten në cdo aspekt, si në kompletimin me pajisje sportive, ashtu edhe në pjesëmarrjen në kampe të ndryshme, ngase është e vështirë për familjarët që ata vetë t’i mbulojnë gjitha këto shpenzime.

Deri atëherë, Shpendi, Liburni e Liriku vazhdojnë rrugëtimin e tyre, prindi duke i mbështetur e këtë të dy duke derdhur djersën në fushë e ushtrimore e që të dy kanë ambicie të mëdha, andaj ata që të gjithë, organet gjegjëse, klubet e tyre, shoqëria, njerëzit e vullnetit të mirë e mediet, duhet përkrahur në rrugëtimin e tyre e ata gjithsesi se këtë përkrahje do të na e kthejnë me rezultate kulminante në fushë./kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like