Trashëgimi

Dy shekuj të një shtëpie

E ndërtuar në vitin 1880 shtëpia e familjes Shabani vazhdon t’i rezistojë kohës, nga dyert e saj kanë dalë njerëz të shkolluar e në këtë shtëpi ka qëndruar edhe Isa Boletini, i cili  kishte ardhur me atki.

“Ta rrënojmë të vjetrën për t’a ndërtuar të renë” ka qenë një moto të cilës shqiptarët shpesh ia kanë parë sherrin. Nën këtë moto u rrënuan shumë objekte të trashëgimisë kulturore, shtëpi autentike, çezma e shatërvanë, u prishën rrugë nga kalldrëmi për t’i lënë vend asfaltit, u rrënuan bujtina,  hane e hamame, mulli e shumë objekte të trashëgimisë së paluajtshme. Në këtë valë rrënimesh për të ndërtuar “të renë”, gjithmonë pati qytetarë të cilët ia ditën vlerën të vjetrës dhe atë e ruajtën me xhelozi. Një nga to është edhe familja Shabani nga Përlepnica e Gjilanit, e cila tash e 134 vite e ruan shtëpinë, që e kishin ndërtuar të parët e tyre. Sot, shtëpia e Muhamer Shabanit gjendet në fshatin Përlepnicë. Sipas të dhënave të familjarëve, pikërisht të Hysen Shabanit, plak mbi të tetëdhjetat, kjo shtëpi është ndërtuar në fund të shek XIX, përkatësisht në vitin 1880, datë e cila është e gravuar edhe në një nga muret e shtëpisë. Të parët i kishin treguar atij se mjeshtër  të kësaj shtëpie kanë qenë nga Vraja dhe për ndërtimin e shtëpisë ata kishin marrë 80 lira.

Nga rrëfimet e familjarëve mësojmë se në këtë shtëpi kanë jetuar Shaban Aga, i pari i kësaj familje, pastaj e ka trashëguar djali i tij Tasimi, më pas djali i Tasimit Hyseni dhe tash së fundi pronar është Muhamer Shabani  djali i Hysenit.

Kjo shtëpi ishte shtëpi e kamur  dhe e njohur në  Përlepnicë. Nga kjo derë kishin dalë edhe njerëz të shkolluar. Njëri ndër ta Muharrem Shabani e kishte kryer  shkollimin, përkatësisht juridikun në Egjipt. Muhamer Shabani tregon se, ka dëgjuar  prej më të vjetërve, se në këtë shtëpi ka qëndruar edhe Isa Boletini, i cili  kishte ardhur me atki. Duke shikuar arkitekturën e kësaj shtëpie, shihet haptas se përdhesi i shtëpisë është e ndërtuar me gurë, ndërsa kati me qerpiç.

Kjo shtëpi, në periudha të ndryshme ka pësuar renovime, por ndërtimi  sa i përket objektit nuk ka pësuar ndryshime. Të gjitha këto vlera që i ka kjo shtëpi, i ka evidentuar Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan. Artan Hoxha, drejtor në këtë qendër, thotë se gjatë vizitës që  i kanë bërë kësaj shtëpie në prill 2013 kanë parë se pronari, Muhamer Shabani kishte filluar t’i kthej shtëpisë, pamjen e vjetër. Ai kishte larguar tërë fasadën e re nga gurët e katit të parë dhe do të vazhdonte edhe në katin e dytë. Gjithashtu edhe dritaret e reja  do t’i zëvendësonte me të vjetrat, sikurse edhe pullazin dhe tjegullat. Pra, ai mëtonte t’ia kthente tërë pamjen e vjetër, përkatësisht t’ia kthej origjinalitetin.

Tashti, ai ka rinovuar shtëpinë duke ia kthyer asaj pamjen fillestare, të atillë siç e kishin ndërtuar të parët e tij, duke e shndërruar atë në objekt me vlera të jashtëzakonshme të trashëgimisë tonë kulturore.

You Might Also Like