Futboll

Drita, “poker” Dukagjinit në Klinë

Drita ka shënuar edhe një fitore bindëse, kësaj radhe ndaj Dukagjinit të Klinës, ekip të cilin në fushë të vet e ka mposhtur me rezultat të thellë 4:0.

Bardh e kaltrit që kanë hyrë në serinë e rezultateve pozitive, në çdo aspekt kanë qenë më të mirë se vendasit, të cilëve nuk u kanë lejuar asnjëherë të rrezikojnë portën e portierit Tofiloski.

Në minutën 9, pas një skeme të organizuar mirë, nga një gjuajtje dënimi që nga e majta e ka dhënë Bunjamin Shabani, nga prapa është përvjedhur Xhevdet Shabani dhe me gjuajtje përtokë ka shënuar në portën e Muhaxhirit për rezultatin 0:1.

Goli i dytë ka ardhur pak para se të përfundonte pjesa e parë, kësaj radhe ka shënuar Bunjamin Shabani, i cili është gjetur mirë në tollovinë e krijuar dhe pas dy tentimeve ka qëlluar shtyllën e djathtë, prej ku topi është futur në rrjetë.

Drita me ritëm të njëjtë ka vazhduar edhe në pjesëlojën e dytë, kurse goli i tretë ka ardhur në minutën 75, kur Xhevdet Shabani ka dhënë një gjuajtje dënimi nga e djathta dhe për tokë nëpër duart e portierit Muhaxhiri ka shënuar për rezultatin 0:3.

Dukagjini është dorëzuar krejt në fund në minutën e parë shtesë, kur braziliani Fortunato nga e djathta ka harkuar në brendi për Haxhimusën, i cili nga afërsi me trup e ka futur topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar Dukagjini – Drita 0:4.

You Might Also Like