Libri

DHUNA DHE TERRORI SERB NDAJ POPULLATËS SHQIPTARE PAS PUSHTIMIT MË 1912

Enver Sadiku

 

Vendosja e sundimit serb në Kosovë në vitin 1912 është pasuar me vrasje, plaçkitje, terror e masakra që forcat serbe ushtruan mbi shqiptarët. Veprimet më çnjerëzore ndaj popullatës shqiptare të Gjilanit me rrethinë ishin ushtruar nga ana e ushtarëve të Armatës së Tretë Serbe, njësiteve vullnetare e të komitëve serbë, të cilët ishin përkrahur edhe nga serbët lokalë. Diplomacia, shtypi ndërkombëtar i kohës, organizatat që u morën me pasojat e Luftërave Ballkanike, por edhe vetë socialdemokratët serbë, raportuan për krime ndaj popullatës shqiptare që nuk i ka njohur njerëzimi deri më atëherë. U keqtrajtuan, u rrahën e u vranë qytetarë të pafajshëm, iu dogjën shtëpitë, iu vodh pasuria e u përndoqën me mijëra shqiptarë nga trojet e veta.

Popullsia e Gjilanit me rrethinë dhe paria e saj, që me rezistencë të armatosur u vu në mbrojtje të trojeve të veta, qysh në ditët e para të depërtimit të ushtrisë serbe në tokat shqiptare iu nënshtrua një dhune e përndjekje të paparë. Qëndrimi antishqiptar i Serbisë, u dëshmua dhe me pushtimin e trojeve shqiptare nga ushtria serbe, dhe si rezultat pas kësaj, e tërë ajo propagandë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve, që ishte shprehur përmes shkencës, publicistikës dhe aktivitetit propagandistik, tani u realizua me dhunën e forcave ushtarake, policore, të njësive paramilitare çetnike dhe të qytetarëve serbë të armatosur, që vidhnin, plaçkitnin e vrisnin pa dallim shqiptarët.[1]

Në masë të madhe, dhunës që do të ushtrohej më vonë i kishte paraprirë edhe shtypi serb që dilte në Perandorinë Osmane, i cili kishte botuar shkrime të ndryshme për kinse zullumet që popullata shqiptare kishte ushtruar mbi atë sllave e shumica prej këtyre shkrimeve ishin të inskenuara me qëllim që të mbjellët urrejtja mes shqiptarëve dhe popullatës sllave.[2] Kjo propagandë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve kishte gjetur mbështetës edhe jashtë Serbisë në çarqet ndërkombëtare. Një rezistencë e arsyeshme në Serbi ishte bërë vetëm nga Partia Socialdemokrate Serbe e Dimitrije Tucoviqit, i cili u ishte kundërvënë mëtimeve të Serbisë dhe kritikonte pushtetin serb se “të drejtën që ia mohojmë tjetrit e marrim për vete në të njëjtin çast, për të njëjtën çështje.[3]

Me të nisur ushtrimin e pushtetit në Gjilan e në vise të tjera, pushtuesit serbë duke dashur të paraqiten para botës si çlirimtarë dhe se kinse ishin thirrur nga popullata shqiptare për t’i “çliruar” prej sundimit osman, kishin përpiluar shkresa në të cilat vënin emrat e shumicës së krerëve shqiptarë, me shkronja cirilike dhe arabe, sikurse që në atë shkresë figuronin edhe vulat. Këto shkresa qeveritarët serbë ia prezantonin zyrave diplomatike të vendeve të Evropës, se gjoja shqiptarëve ua kishte sjellë lirinë dhe se shqiptarët janë të lumtur që tashti do të udhëhiqen nga mbreti i Serbisë. Në këtë shkresë kinse shqiptarët zotohen se do të derdhin edhe gjakun për mbretin dhe Serbinë.[4] Një dokument i tillë “përshëndetës” ishte dërguar edhe në emër të parisë së Gjilanit me rrethinë. Serbia ishte në dijeni se paria e Gjilanit ka autoritet në popull, andaj këtë shkresë e kishte përpiluar nën masa dhune. Dokumenti përmban 34 emra të krerëve shqiptarë të rrethit të Gjilanit, emrat e të cilëve janë të shkruar me shkronjë cirilike dhe janë të shkruar nga një dorë e njëjtë. Emrat janë të shkruar edhe me shkronja arabe në anën e djathtë, kurse në dokument janë të vendosura 15 vula.

Shqiptarët nëpërmjet rezistencës së armatosur në mbrojtje të territorit të tyre e edhe me rezistencën e mëvonshme kanë dëshmuar se nuk e kishin mirëpritur sundimin serb, kurse i tërë ky dorëshkrim ishte i falsifikuar, i shkruar dhe nënshkruar nga një dorë e njëjtë në të cilin emrat kanë qenë të shkruar paraprakisht, kurse paria vetëm ka qenë e detyruar të vë vulën.[5] Këtë e konstaton edhe autori anglez Noel Malkolm, i cili thotë se qëllime të tilla, ushtria serbe mundohej të realizonte edhe me kërcënime ndaj shqiptarëve, realizues i të cilave ishte komandanti Bozhidar Jankoviq, i cili me revole në dorë detyronte parinë e qytetit që t’i dërgonte një telegram falënderimi mbretit Petër të Serbisë.[6] Kjo ishte vetëm një formë e manipulimit të pushtetit serb me opinionin për interesat e veta.

Paria shqiptare mund të ketë hedhur vulën edhe për të shpëtuar popullatën nga masakrat e assesi nuk e kishte bërë në mënyrë të vullnetshme. Nënshkrime të tilla të ngjashme ka pasur edhe në vise të tjera të Kosovës. Qeveria serbe këto i shfrytëzonte para fuqive të mëdha për të arsyetuar se gjoja shqiptarët po e pranonin qeverisjen e Serbisë. Shqiptarët e Gjilanit me rrethinë megjithëse gjendeshin në një pozitë të vështirë dhe nën terrorin e trysninë e paparë, asnjëherë nuk ishin gjunjëzuar e këtë më së miri e dëshmojnë fjalët e Kalorësit të Karadakut, Idriz Seferi, udhëheqës i shqiptarëve të Gjilanit, i cili as pas pushtimit nuk kishte lëshuar armët, duke thënë: “Ju bëni si të doni e unë nëse jam burrë e di se ku duhet vdekur”.[7]

 

Menjëherë pas hyrjes në Kosovë të ushtrisë serbe e malazeze filluan krimet, vrasjet e plaçkitjet në mbarë trojet shqiptare të pushtuara prej tyre. Nuk u kursyen qytetet, kurse edhe fshatrat përreth tyre u dogjën deri në themel e në masakrat e dhunën që ushtruan forcat serbe mbi shqiptarët, nuk u kursyen as gratë, pleqtë e fëmijët.[8]

Dhuna që ushtronte ushtria serbe në Gjilan ishte e paparë. Kjo ushtri përdorte forma të ndryshme presioni mbi shqiptarët për t’i bërë ata lojalë ndaj pushtetit të ri dhe kur ushtria nuk mund t’a arrinte një gjë të tillë përdorte mënyrat më të vrazhdët, duke trokitur në dyert e shtëpive të shqiptarëve, duke i marrë prej aty burrat dhe duke i pushkatuar menjëherë. Në Gjilan vetëm brenda disa ditësh numri i burrave të vrarë kishte arritur në 400.[9]

Për gjendjen e rëndë të fshatrave dhe të popullatës shqiptare, Leo Freundlich, pos tjerash do të shkruante se katundet ishin bërë rrafsh me tokë, popullata u masakrua në mënyrën më të vrazhdë dhe se shtëpitë që shqiptarët e varfër i kishin ngritur me shumë mund, tashti ishin shndërruar në rrënoja dhe tym që dilte prej tyre.[10]

Edith Durham, e cila ishte dëshmitare e drejtpërdrejtë e këtyre ngjarjeve shkruante se “nga krahinat e pushtuara vinin lajme të dhimbshme mbi mizoritë e padëgjuara që i kryenin serbët ashtu edhe malazezët mbi popullsinë shqiptare. Ata në vend që t’i fshihnin veprat e tyre, përkundrazi mburreshin me to”.[11]

 Një pjesë e popullsisë e Gjilanit me rrethinë, duke i parandjerë masakrat kishin lëshuar shtëpitë e tyre, duke marrë me vete vetëm anëtarët e familjes. Në Gjilan me rrethinë organet lokale serbe bënë krime mizore.[13] Gazeta “Reichespost” që botohej në Vjenë, e cila shkruante për masakrat që kishin bërë forcat serbe gjithkund nëpër Kosovë, shkruante se në Gjilan, ku shqiptarët nuk ishin të mbrojtur, gati të gjithë banorët janë vu nën zjarr dhe nën shpatë dhe se vetëm ata që kishin marrë arratinë shpëtuan gjallë.[14] Sipas të dhënave memoriale, para ushtrisë serbe popullata e kësaj ane, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq duke mos ditur kah t’ia mbajnë ikte në drejtim të Ferizajt, duke menduar se kufiri mund të vendoset në hekurudhë, gjë e cila nuk ndodhi.[15] Pushtimi serb i Gjilanit me rrethinë u shoqërua me tmerr e masakra të papara deri atëherë, sidomos në fshatrat e Gjilanit. Kjo ndërmarrje shoviniste kishte për qëllim të shkaktojë frikë në popullsinë shqiptare, e cila qysh në fillesë i kishte bërë të njohur Serbisë se nuk do të pajtohej assesi me pushtimin e ri, prandaj, kryengritja do të ishte filozofi e jetës së vendësve. Njëkohësisht pushtuesi dëshironte të nxiste edhe shpërnguljen e popullsisë turke e shqiptare, e cila tashmë kishte filluar dhe ishte në rritje. Kjo mund të shihet edhe nga shumë dokumente të kohës si dhe nga studiues të kësaj periudhe. Çdo pëllëmbë toke u pushtua vetëm pasi u la në gjak. Të egërsuar nga humbjet, çetnikët dhe ushtarët serbë, vetëm në zonën e Gjilanit masakruan mijëra shqiptarë. Morava, Karadaku, Llapi e Gollaku u vunë nën terror ashtu si mbarë Kosova”.[16]

Për pastrimin etnik apo zhdukjen e shqiptarëve, ushtria serbe ndiqte një taktikë të përpunuar mirë nga specialistë e kriminelë. Në fillim vepronte ushtria, duke u futur në çdo fshat, ku kapte e ekzekutonte atdhetarët, kryetarët e familjeve, arrestonte dhe digjte shtëpi të fshatarëve. Pasi largohej ushtria vinin forcat ushtarake – policore e paramilitare, të cilat nën maskën e vendosjes së rendit, arrestonin, vrisnin e zhduknin banorë të pafajshëm, gra, pleq e fëmijë. Metodë tjetër që ata përdornin ishte edhe futja nëpër shtëpi të shqiptarëve nën maskën se po kontrollonin armë, duke i përzënë banorët nga shtëpitë e tyre.[17]

Shtypi i kohës shkruante se vetëm në Kazanë e Gjilanit janë rrënuar 29 katunde shqiptare në Malet e Karadakut, janë djegur e rrafshuar për tokë 280 shtëpi myslimanësh shqiptarë dhe janë vrarë e therur të gjithë meshkujt. Një numër krejt i vogël i të ikurve i mbijetoi kërdisë e si dëshmi e shkatërrimit të Gjilanit kanë mbetur veç rrënojat.[18]

Kësaj dhune e këtij terrori nuk i kishte shpëtuar asnjëra pjesë e  kazasë së Gjilanit. Në fshatrat e Malësisë së Karadakut janë rrënuar 29 katunde shqiptare, janë djegur e rrafshuar për tokë 280 shtëpi shqiptarësh dhe janë vrarë e therur gati të gjithë meshkujt. Në fshatrat në thellësi të Malësisë së Kardakut, si Depca, Myqybaba, Caravajka, Peçena, Kurexhajt e fshatra të tjera, burrat e këtyre fshatrave pasi ishin zënë nga ushtria serbe ishin lidhur e grumbulluar në Kodrën e Peçenës dhe ishin masakruar në mënyrën më mizore. Në dy gropa që ishin hapur, mbi 140 burra të këtyre anëve u therën, përvëluan e u dogjën në zhurmën e daulles e të xurlave. Masakra u bënë edhe në fshatin Gruhali, ku u vranë 18 burra, gra e fëmijë që në rrugë e sipër ishin duke ikur. Në Pidiq, fshatarët duke u munduar që t’i bëjnë ballë dhunës serbe kishin organizuar një rezistencë përmasash të vogla dhe gjatë luftimeve pati të vrarë e në shenjë hakmarrjeje u dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit bashkë me plevicat, ahuret e bagëtinë, ndërsa vrasjet e djegiet vazhduan edhe në fshatrat përgjatë Grykës së Karadakut në Haxhaj, Selishtë, Kurexhaj e Zhegër. “Në fshatrat e Malësisë së Karadakut, shumicën e të vrarëve në varreza të cekëta do t’i varrosnin gratë e fshatit, ngase burrat ishin arratisur në male, kurse pati edhe trupa të pajetë që ngelën lëndinave”.[19]

Në fshatin Bresalc, pas futjes së forcave serbe në mënyrë barbare është likuiduar Murat Bilalli, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Idriz Seferit. U vranë edhe 26 bashkëluftëtarë të tij, pasi që Serbia kishte trashëguar nga osmanët listën e luftëtarëve, të cilët i zhduku një nga një pa gjurmë. Nga të vrarit dihet vetëm se Rrustem Mehmet Haziri dhe Adem Ali Halimi u pushkatuan ende pa u dërguar në Koretishtë dhe pastaj anëtarët e familjeve i morën kufomat dhe i varrosën në oborret e veta, derisa sipas familjarëve, viktimave të tjera nuk u dihet varri, por besohet se Koretishta është varreza e shumicës prej atyre, sepse aty janë masakruar shumë shqiptarë. Për Murat Bilallin dihet se u ekzekutua në Gjilan. Atij i është hequr koka te ndërtesa e vjetër e gjimnazit, por varri i tij nuk dihet.[20]

Me qindra emra të të vrarëve në vitet 1912 – 1913 nga serbët janë shënuar në murin përkujtimor të Qendrës Memoriale “Kodra e Dëshmorëve” në Gjilan. Sipas komisionit që në terren ka mbledhur emrat e të vrarëve në komunën e Gjilanit, mbase jo të plota, del se gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike të vrarë kishte në Bresalc, Llashticë, Zhegër, Pogragjë, Makresh i Ultë, Malishevë, Përlepnicë, Livoç i Ultë, Dunavë, Gumnishtë, Velekincë, Sllakovc i Ultë, Sllakovc i Epërm, Livoç i Epërm, Vërbicë e Zhegovcit, Çelik, Llovcë, Lipovicë, Kurexh, Kishnapolë, Shurdhan, Uglar, Ponesh, Sllubicë, Demiraj, Burincë, Zhegoc, Muhaxherë të Pasjanit, Haxhaj, Kmetoc, Pidiq, Myqybabë, Capar, Pasjak, Cërnicë, Stanishor, Nasalë e në qytet, si në lagjen “Dermëhalla”, “Lagjen e Muhaxherëve” e fshatrave e lagjeve të tjera.[21]

Fshatrat Tërstenik, Vërban, Lubishtë dhe Gjylekar kanë qenë skena të banjave të gjakut, ku 238 burra e gra janë torturuar pa mëshirë. Në Sefer dy gra plaka i dogjën të gjalla, po kështu në fshatin Lubishtë dogjën të gjallë një burrë, një grua plakë dhe dy fëmijë. Në Gjylekar një grua shtatzënë shtiu mbi serbët, të cilët për hakmarrje dogjën 90 shtëpi,[22] e në Vërban ushtria serbe duke e “pastruar” terrenin vrau mbi 20 fshatarë.[23] Tragjedia e lubishtasve arrin në 95 të vrarë, të pushkatuar dhe të humbur. Shumicës edhe sot nuk u dihen varret e në mesin e të vrarëve kishte edhe mysafirë nga fshatrat tjera.[24]

Për sjelljet barbare të ushtrisë serbe, të rreshterit Miliq dhe të 100 ushtarëve të tij, nga Gjilani, komandanti Gjorgje Jovanoviq e njoftonte komandantin e divizionit të Kosovës, se rreshteri Miliq me të arritur në fshatin Lubishtë (fshat i banuar tërësisht me popullatë shqiptare) menjëherë e ka rrethuar fshatin dhe të gjithë fshatarët e moshës madhore i ka nxjerrë jashtë, ka bërë kontrollin e tërësishëm të fshatit, pastaj të gjithë shqiptarët i ka marrë në pyetje, duke kërkuar të dijë se kush kishte gjuajtur në drejtim të ushtarëve dhe pasi që askush nuk kishte treguar se kush ka gjuajtur, i kishte pyetur se a kishin qenë në vendin prej ku ishte gjuajtur. I revoltuar se shqiptarët nuk kishin treguar se kush kishte gjuajtur, ai kishte djegur shtëpitë e fshatit dhe të gjithë shqiptarët e moshës madhore të lidhur i kishte dërguar në një pyll, ku më vonë fshatarët e Vërbovcit (i banuar me serbë) kishin rrëmihur gropa, në të cilat ishin futur shqiptarët të cilët ishin dënuar me procedurë të shpejtë.[25]

Bashkëpjesëmarrës në krimet e kryera ndaj shqiptarëve kanë qenë edhe serbët lokalë, të cilët në forma të ndryshme kanë cytur ushtrinë për të kryer masakra ndaj shqiptarëve e dëshmi për këtë janë edhe vetë eprorët serbë të ushtrisë të cilët njoftonin komandantin e Divizionit të Kosovës. Kështu për vrasjen e shqiptarëve në Mogillë të Vitisë raportohej se derisa ushtria serbe po kalonte natën në Vërbovc, nga serbët e atyshëm është njoftuar se në Mogillë (fshat i banuar me shqiptarë e serbë), në një shtëpi të shqiptarëve ka armë dhe se aty mblidhen shqiptarët për t’u marrë vesh. Ushtria bllokoi fshatin Mogillë dhe kreu kontroll në atë shtëpi, ku gjeti njëmbëdhjetë shqiptarë dhe aty gjetën një pushkë dhe 54 fishekë dhe të gjithë u gjykuan me procedurë të shkurtër. Dhunë është ushtruar edhe ndaj banorëve të Gjylekarit, ku ushtria serbe nën arsyetimin se kërkonte armë dhe persona të dyshimtë tërë mllefin e saj e zbrazte ndaj shqiptarëve të pambrojtur.[26]

Imzot Lazër Mjeda*, arqipeshk katolik i Shkupit, në raportin e tij, dërguar Vatikanit më 24 janar 1913, lidhur me pushtimin serb të Kosovës e Maqedonisë, ka dhënë një njoftim të plotë, kurse në pjesën ku fliste për krimet e kryera në Moravë shkruante se njeriu tmerrohet kur i përshkruan vjedhjet, grabitjet dhe dhunimet e grave në mënyrën më barbare. “Në Tërstenik 60 njerëz janë vrarë, tridhjetë e dy në Smirë, 90 në Lubishtë, 20 në Vërban dhe në Komogllavë, fshat me 50 familje, të gjithë meshkujt janë vrarë pa përjashtim… ata që ishin qëlluar, por kishin mbetur gjallë, mbyteshin me bajoneta”.[27] Mjeda njoftonte Vjenën se edhe Gjilani është masakruar, ndonëse qyteti ishte dorëzuar në mënyrë paqësore.[28]

Leo Freundlich në “Albanische Korrespondenz” më 20 mars 1913 të botuar në Vjenë, shkruante pos tjerash se në Lubishtë, oficerët serbë shitnin gratë e fshatit si skllavëresha, madje edhe për 400 piestra.[29] Komanda serbe, e dehur nga fitoret e luftës dhe të pushtimit të tokave të reja, nga të cilat tërhiqej ushtria osmane, lëshoi urdhra çnjerëzorë kundër popullatës shqiptare.[30] Se çfarë ishte terrori serb mund të mësohet edhe nga gazeta serbe “Srpske Novine”, e cila duke cituar gazetën “Reich post, shkruante se më së paku 2500 shqiptarë janë mbytur. Kjo gazetë kërkonte që Evropa të hetojë dhe gjykojë.[31] Për mizoritë serbe në Gjilan e rrethinë flasin edhe përfaqësitë diplomatike të Austro –Hungarisë në territoret e pushtuara. Kështu, konsulli austro-hungarez në Shkup e bënte me dije Vjenën për aktet e dhunimit të grave shqiptare (të fesë katolike) në fshatin Letnicë dhe Shosharë të anës së Gjilanit. Gazeta londineze Daily Telegraph botoi korrespodencën nga Vjena për masakrat në fshatrat Shashare (afër Shkupit) Letnicë, Vërban, Sefer, Lubishtë, Gjylekar, Selishtë etj.[32] Ushtria serbe kishte marrë katundin Shashare në fund të shkurtit. Mbasi kishin hequr krejt burrat e djemtë prej katundit, ushtarët zunë t’i përdhunojnë gratë dhe vajzat. Ushtarët serbë kryen të njëjtat ligësi në katundin e Letnicës.[33] Për përdhunimet në fshatin Shashare dhe Letnicë, në fund të shkurtit të vitit 1913 shkruante edhe korrespondenti i luftës, i gazetës daneze “Riget”, Fritz Magnussen.[34] Këto masakra të papara kishin alarmuar edhe qarqet ndërkombëtare, kurse nën presionin e jashtëm pushteti serb u detyrua të bënte hulumtime për terrorizimet e shkaktuara nga ushtria e saj. Për të konstatuar gjendjen kishte shkuar edhe vet prefekti i Gjilanit, Toma Popoviq, i njohur për brutalitet, por në fshatrat e përmendura gjoja nuk kishte dëgjuar asgjë për dhunimet. Edhe gjenerali Mishiq dërgoi atje për të njëjtin qëllim oficerin e tij. Konstatimet e ushtarakut binin në kundërshtim me pohimet e prefektit. Nga këto hetime doli se në fshatrat e sipërpërmendura u bë bastisja e të gjitha shtëpive (me përjashtim të konakut të priftit dhe të kishës) për t’i mbledhur armët dhe qetësuar popullatën. Në krye të këtij misioni ishin zakonisht komitët e Narodna Odbranës. Siç konstatonte dhe protestonte “Radniçke Novine”, ishin komitët e armatosur deri në dhëmbë ata që futeshin nëpër shtëpi pas mesnate, i nxirrnin meshkujt përjashta për t’i dërguar në polici të lidhur. Aty i shpallnin si kaçakë dhe i shtronin në dajak.[35]

Nga një bastisje e rrufeshme që ndërmorën forcat serbe, ku pati ndjekje, vrasje e djegie të shtëpive, të gjithë banorët e Beguncës braktisën fshatin dhe banorët u ndanë në dy kolona, një në drejtim të Shkupit e tjetra në drejtim të Kumanovës. Në Smirë, 83 fshatarë të lidhur dorë për dorë u pushkatuan në vendin e quajtur Bjashkallave. Prej tyre shpëtuan gjallë e të plagosur dy persona. Njëri nga të shpëtuarit, më pas ka rrëfyer se para operacioneve për vrasje e djegie që kryen forcat serbe, ishte zhvilluar luftë e ashpër afër fshatit Bibaj të Ferizajt. Aty bënë rezistencë shqiptarë të rrethit të Ferizajt dhe të Gjilanit, të cilët i shkaktuan humbje të konsiderueshme forcave serbe, pas të cilës forcat serbe ushtruan dhunë, vrasje, terror, dëbim të popullatës e djegie të shtëpive.[36]

Në Goshicë gjetën vdekjen 50 burra, në Tërstenik 60 e në Komogllavë 50.[37] Njëzet meshkuj shqiptarë u pushkatuan në Mogillë dhe një i vrarë u soll nga fshati Trenaj në vendpushkatimin Rashi, pranë fshatit, e kolonët vendas i nxorën kufomat e masakruara dhe i varrosën në lëndinën e Mogillës në Rastanovicë- Zakuta, në Veri të Mogillës.[38]

Për t’i shpëtuar dhunës së forcave serbe, shqiptarët nga rajoni i Moravës, i Karadakut e i Gollakut tentuan t’i mbrojnë fshatrat e tyre. Ushtria serbe nga drejtimi i Ferizajt po sulmonte fshatrat e kësaj komune, kurse në drejtimin tjetër sulmoheshin fshatrat e Gjilanit me rrethinë për t’u takuar të dy krahët në Karadak e Gollak. Shqiptarët bënin qëndresë fillimisht në Starasellë (Fshat i Vjetër), për t’i bërë pritën e dytë në Sojevë. Gjatë kësaj qëndrese pati humbje të ushtrisë vullnetare shqiptare dhe të asaj serbe e pas tërheqjes së vullnetarëve shqiptarë, i tërë mllefi u zbraz mbi popullsinë civile.[39]

Për të gjitha këto masakra kanë rrëfyer njerëz që i përjetuan drejtpërdrejtë, apo edhe pasardhës të tyre. Kështu në fshatin Tërstenik, në mesin e të vrarëve kishte edhe nga dy e më tepër anëtarë të një familjeje. Në Goshicë fillimisht kishte ardhur pararoja e ushtrisë, e cila i kishte siguruar fshatarët, por ende pa u shpërndarë fshatarët nëpër shtëpitë e tyre kishte arritur kolona tjetër e ushtarëve, nga eprori ishin urdhëruar që fshatarët të lidhen dy nga dy me shokat e tyre dhe te vendi i quajtur “Voshnik” janë gjuajtur me armë e janë therë me bajoneta. Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, njëjtë është vepruar edhe në Smirë. Fshatarët rreth lumit kishin dalë të shikojnë ushtrinë dhe pa paralajmërim ata janë lidhur, janë vrarë e therur me thika, kurse vetëm dy veta ia kishin dalë të shpëtojnë. Në Lubishtë, fshat ku ndodhi masakra më e madhe, vrasja u bë në dy faza, kurse njësisë ndëshkimore i kishte prirë kapiteni Gjoka, i njohur për të keq në këto anë. Ushtria nuk i kishte lejuar grave dhe fëmijëve që t’i marrin të plagosurit e vet që ende ishin gjallë. Në Mogillë, pas vrasjes së një xhandari nga ana e kaçakëve është djegur i tërë fshati dhe u vranë 70 meshkuj e në Komogllavë, banorët që ishin në dijeni se çfarë kishte ndodhur në fshatrat tjera kishin lëshuar shtëpitë, duke lënë vetëm ata që nuk kishin mundësi të lëviznin. Në shenjë hakmarrjeje ushtria serbe ua vuri zjarrin të gjitha shtëpive, duke djegur edhe pleqtë që kishin mbetur në to.[40]

Serbët kryen masakra dhe demonstruan dhunë edhe në Malësinë e Gollakut. Kështu në dhjetor të vitit 1912, një ekspeditë e armatosur bashibozukë nga Kolloleqi, të udhëhequr nga mësuesi serb Llazar Zeqeviq iu vërsulën Shipashnicës. Pas torturimeve të mëdha, kjo ekspeditë i ndau pesë veta, katër prej të cilëve i pushkatuan në malet e fshatit të tyre. Vojvoda Llazar Zeqeviqi nga këta kishte ndarë më të riun, të cilin e kishin rrahur.[41] Në Svircë kishin mbetur pa u djegur vetëm tri shtëpi. Nga dhuna serbe pësuan edhe qindra qytetarë në Tygjec, Svircë, Hogosht, Gmicë, Zajçec e në fshatra tjera të Gallapit.[42]

Për sjelljet barbare të ushtrisë serbe shkruante edhe Dimitrije Tucoviqi, i cili thoshte se fshatrat shqiptare, prej të cilave burrat ishin larguar me kohë, u bënë shkrumb. “Këto qenë krematoriume barbare, ku u dogjën për së gjalli me qindra gra e foshnje. Kryengritësit shqiptarë, kur i zinin robër oficerët dhe ushtarët serbë, vetëm i çarmatosnin dhe pa fjalë i lëshonin, ndërsa ushtria serbe nuk i kurseu as fëmijët, as gratë dhe as të sëmurët”.[43]

Korrespondenti special i “Daily Telegraph” raportonte se sjelljet mizore të trupave të gjeneralit Jankoviq ua shkuan të gjitha tmerreve të historisë. Serbët, në marshimin e tyre drejt Shqipërisë i vranë pabesisht jo veç shqiptarët e armatosur, por në tërbimin e tyre madje edhe individët e paarmatosur, pleqtë, gratë, fëmijët dhe foshnjat në gji të nënave.[44] Disa informacione për dhunën që ushtronte pushteti serb mbi shqiptarët në botë u përhapën edhe nëpërmjet kishës katolike, që i pasqyronte gazeta “Daily Telegraf”.[45] Për të arsyetuar krimet serbe, ministri serb i Fesë dhe i Arsimit, Luba Jovanoviq, ka botuar një deklaratë në një gazetë sllave e të cilën e citonte “Deutches Volksblatt”, në të cilën ai ndër të tjera thoshte se shqiptarët i kanë rezistuar pushtimit serb e madje kanë qitë me armë kundër ushtarëve mbasi janë dorëzuar. Sipas tij këso qitjesh ka pasur jo veç jashtë, por edhe prej brenda shtëpive në katundet e pushtuara dhe sipas tij, kjo ka çuar te ajo që ndodh gjithkah kur njerëz që s’janë luftëtarë i kundërvihen një ushtrie fitimtare” (që d.m.th masakrimin e shqiptarëve, E.S.).[46] Në Raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Luftërat Ballkanike, që ka të bëjë me luftimet që i bëri Serbia, thuhet se gjetjet e Komisionit Ndërkombëtar kanë rezultuar se ka pasur krime të rënda luftarake. Sipas këtij raporti është vërtetuar se armët nuk janë përdorur vetëm kundër ushtrisë armike, por edhe për terrorin ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni, njerëzve të vjetër, fshatarëve, bujqve, grave dhe fëmijëve.[47] Sipas raportuesve të këtij komisioni Serbia kreu krime të papara, duke shndërruar në hi shtëpi të tëra e duke masakruar në mënyrë masovike popullsinë e paarmatosur dhe të pambrojtur. “Akte të dhunës të papara, plaçkitje dhe egërsi e llojeve të ndryshme – këto janë mjetet të cilat janë përdorur dhe ende po përdoren nga ushtria serbo-malazeze, me qëllim të ndërrimit etnik të krahinave që janë të banuara vetëm me shqiptarë”.[48]

Në raportimin e Komisionit Ndërkombëtar ku flitet për Gjilanin, thuhet se ndaj popullsisë së Gjilanit kanë ndodhur masakra; qyteti është djegur e shkatërruar edhe pse shqiptarët e atij qyteti nuk kishin bërë rezistencë.[49] E tërë kjo dhunë ishte e dirigjuar nga kreu i ushtrisë serbe, ngase kjo ushtri nuk bëri asnjë hap në ndaljen e vrasjeve, plaçkitjeve, grabitjeve e dhunimeve të shqiptarëve, por ajo ishte nxitëse e këtyre krimeve dhe ushtria e kërkonte dhe urdhëronte që të zbatohej kjo dhunë ndaj popullsisë shqiptare.[50]

E tërë kjo dhunë e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare, kishte edhe një qëllim tjetër, atë të shpërnguljes së saj dhe kolonizimin e këtyre trevave me serbë të ardhur, ngase deri te shpërngulja nuk ka mundur të vije vetvetiu e edhe civilët nuk kanë mundur të shkojnë pas ushtrisë, e cila në kaos të plotë tërhiqej. Bëhej fjalë përgjithësisht për popullsi që merrej me bujqësi, e cila nuk e linte aq lehtë tokën dhe bagëtinë. Të lësh tokën do të thoshte të humbësh gjithçka, kështu që vendimi për largim masiv nuk ka mundur të jetë spontan. Duhej detyruar popullsinë që të zhvendosej dhe kjo bëhej, duke futur çetat ushtarake nëpër fshatra dhe duke djegur fshatra dhe shtëpi. Komisioni i Karnegit ka gjetur se 80 përqind e fshatrave myslimane në të cilat është futur ushtria kanë qenë të djegura. Janë evidentuar raste kur ushtria ka hyrë nëpër vendbanime, ka ndarë burrat prej grave dhe i ka vrarë me radhë. Shpesh këto krime i kanë bërë ushtarët e shteteve që ishin në aleancë.[51]

Në Gjilan e rrethinë, ushtria serbe përdorte forma të ndryshme dhune mbi shqiptarët për t’i bërë ata lojalë ndaj pushtetit të ri dhe kur ushtria nuk mund ta arrinte një gjë të tillë përdorte mënyrat më të vrazhda, duke trokitur në dyert e shtëpive të shqiptarëve, i merrte burrat prej aty dhe menjëherë i pushkatonte. Për pastrimin etnik apo zhdukjen e shqiptarëve, ushtria serbe ndiqte një taktikë të përpunuar mirë nga specialistë e kriminelë. Në fillim vepronte ushtria, duke u futur në çdo fshat, ku kapte e ekzekutonte atdhetarët, kryetarët e familjeve, arrestonte dhe digjte shtëpi të fshatarëve. Pasi largohej ushtria vinin forcat ushtarake – policore e paramilitare. Këto, nën maskën e vendosjes së rendit, arrestonin, vrisnin e zhduknin banorë të pafajshëm, gra, pleq e fëmijë. Nën maskën e kontrolleve për mbledhjen e armëve ata futeshin kudo nëpër familje e kudo i bastisnin ato dhe i përzinin nga shtëpia.

Një lloj tjetër i presionit ishte edhe konvertimi me dhunë i shqiptarëve myslimanë dhe katolikë në fenë ortodokse, pastaj plaçkitja e pasurisë dhe e tokave, gjendja e rëndë sociale, varfëria ekstreme e djegia e shtëpive.

Edhe nëpërmjet planit të saj për përvetësimin e krerëve shqiptarë me ndikim, Serbia tentonte që nëse ky plan do të ketë sukses, atëherë do t’i shfrytëzonte ata për interesa të veta e nëse nuk do të mund t’ia arrinte këtij qëllimi, atëherë Serbia mëtonte që krerët shqiptarë të komprometoheshin para bashkatdhetarëve të tyre si njerëz të shitur. Duke arrestuar krerët shqiptarë, apo të edhe një a më shumë anëtarëve të familjeve nëpër fshatra e në qytete, ushtria serbe synim të sajin kishte që t’i detyronte shqiptarët e zonave të pushtuara që të rrinë të qetë dhe të mos i kundërvihen ushtrisë pushtuese serbe, gjë të cilën nuk e arritën pasi shqiptarët prisnin rastin e volitshëm për organizmin e një kryengritje të re.

 

(Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” i autorit Enver Sadiku

 

[1] Rexha, S., Populli.., f. 3.

[2] Cana, Z., Lëvizja.., f. 84.

[3] Tucoviq, D. 2010. Serbia dhe Shqipëria, Prishtinë: Zëri, f. 77.

[4] ADG SSIP, OO, 1912, F V, dok. VII, I/9, Dok. Br. 4613. (Kopja e dokumentit gjendet te autori).

[5] Po aty.

[6] Malkolm, N. 2001. Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë: Koha, f. 331.

[7] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29; shih edhe Први Балкнаски Рат. c. 142.

[8] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 507.

[9] Malkolm, N., vep. e përm., 331.

[10] Freundlich, L., vep. e përm., f. 9.

[11] Durham, E., 2001. Njëzet vjet ngatërresa ballkanike. Tiranë: Argeta – LMG, f. 249.

[12] Fotoja gjendet në Shtëpinë – Muze të Pavarësisë në Vlorë.

[13] Dërmaku, I., Shoqëria.…, f. 247 – 248.

[14] Bajrami, H., 1995. Politika e shfarosjes dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844 – 1995. Prishtinë: Qendra për Informim e Kosovës, f. 59 – 61.

[15] Intervistë me mulla Mustafë Selmanin. Intervista është realizuar nga mr. Aliriza Selmani në vitin 1989.

[16] Jeta dhe vepra e Idriz Seferit, Prishtinë: Instituti i Historisë, f. 29.

[17] Fiçorri, R., vep. e përm., f. 119.

[18] Freundlich, L., vep. e përm., f. 17.

[19] Rrustemi, S., art. i përm., f. 316 – 318. (shih edhe librin e Rasim Rexhepit….)

[20] Syla E. dhe Matoshi – Syla, R. 1998. Monografi për fshatin Bresalc, Gjilan: Pika 5A, f. 37.

[21] Lista e emrave të dëshmorëve dhe të rënëve për liri në komunën e Gjilanit, që janë shënuar në murin përkujtimor të qendrës Memoriale “Kodra e Dëshmorëve” në Gjilan.

[22] Atdheu. 10 qershor 1913; Fiçorri, R. vep. e përm., f. 124 – 125.

[23] Berisha, Tahir. 1993. Trojet që nuk shuhen (shënime nga Vërbani dhe Anamorava). Ndërmarrja Botuese Valton. Prishtinë. f. 73.

[24] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29 (Ekspedita në Karadak). Shih edhe Terziu, H. Ramë…, f. 138.

[25] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29, telegram i datës 02 shkurt 1913 dërguar nga komandanti i vendit kapiteni i klasit të parë Gjorgje Jovanoviq, dërguar komandantit të divizionit të Kosovës; Telegram nga Shkupi i nënkonsullit Pekham drejtuar sër R. Paget. Shkup, 28 shkurt 1913; shih edhe Rizaj, G. 2011. Shqipëria e sipërme 1800 – 1913. Prishtinë. Instituti Albanologjik, f. 532.

[26] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29, telegram i datës 02 shkurt 1913 dërguar nga komandanti i vendit kapiteni i klasit të parë Gjorgje Jovanoviq, dërguar komandantit të divizionit të Kosovës.

* Lazër Mjeda (1869 – 1935). Lazër Mjeda u lind në Shkodër në vitin 1869 në një familje katolike. Më 1891 filloi mësimin e tij fetar dhe prej vitit 1900 deri më 1904 ishte peshkop i Sapës, kurse më 14 prill 1909 si prift i ri u emërua kryepeshkop i Shkupit, detyrë të cilën e ushtroi deri në vitin 1921, kur përfundimisht u kthye në Shkodër dhe shërbeu si kryepeshkop deri në vdekje, në vitin 1935. Gjatë Luftërave Ballkanike kishte për detyrë që nga Shkupi dhe Prizreni të raportojë Vatikanin. Raporti i tij i ka shërbyer austriakut Leo Freundlich, i cili shkroi librin “Golgota Shqiptare” (shih. Berisha, Gj. 2010. Të dhënat nga Imzot Lazër Mjeda mbi gjenocidin e ushtrive të Aleancës Ballkanike në Kosovë gjatë viteve 1912 – 1913. Në Vjetari XLIII-XLIV, Prishtinë: Instituri i Historisë Prishtinë).

[27] Kryepeshkop Lazër Mjeda: “Raport për invazionin serb në Kosovë dhe Maqedoni”, Vjenë, 24 janar 1913; Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Vjetar 43 – 44, Prishtinë, 2010; Berisha, Gj., art. i përm., f. 142.

[28] Po aty; Qerimi, I. 2010. Llashtica në lundruesin e kohës. Gjilan, f. 269.

[29] Bajrami, H., Politika….f. 57.

[30] Latifi, H dhe Sermoxhaj, L., vep. e përm., f. 27.

[31] Rushiti, L. Rrethanat… f. 50.

[32] Cana, Z., Socialdemokracia…, f. 146.

[33] Freundlich, L., vep. e përm., f. 21.

[34] Bajrami, H., Politika….f. 60.

[35] Cana, Z., Socialdemokracia…, f. 146.

[36] Sipas kujtimeve të Mustafait nga Smira në vitet shtatëdhjeta. Ky person ishte njëri nga dy të shpëtuarit. Në Betejën e Bibajve ishte plagosur, kurse në Smirë ishte qitur në pushkatim dhe përkundër që kishte marrë pesë plagë kishte shpëtuar.

[37] Terziu, H., Ramë…, f. 139, 188, 205.

[38] Terziu, H. 2005. Gjenocidi serb 1912 – 1956. Prishtinë, f. 49.

[39] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29 (Ekspedita në Karadak); Shih edhe Terziu, H. Ramë…, f. 222 – 224.

[40] Berisha, T. 1993. Vep. e për. f. 106 – 115.

[41] Dërmaku, I., Shoqëria…, f. 248.

[42] Pireva, B. 2010. Dhuna shekullore serbe në Gallap 1, Prishtinë, f. 8 -90.

[43] Cana, Z. 1982. Shpalime historike. Prishtinë: Rilindja, f. 210.

[44] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29 (dorëshkrime për periudhën 1912). Shih edhe Leo Freundlich, Golgota e Shqipnisë akuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar, Prishtinë, 2010, f. 23.

[45] Culaj, L., 2005. Shqiptarët në gjysmën e parë të shekullit XX. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës. f. 120 – 121.

[46] Freundlich, L., vep. e përm., f. 36.

[47]Carnegie Edwoment for International Peace, Report of the international comission to inquire in to the causes and conduct of the Balkan Wars, Washington, 1914, f. 244.

[48] Po aty, f. 151.

[49] Po aty.

[50] Malcolm, N., vep e përm. f. 331.

[51] Stojanović, D. 2009. U spirali zloćina, Helsinška povelja, mart-april 2009.

You Might Also Like