Futboll

Me dhjetë lojtarë në fushë, Gjilani mbeti i pafuqishëm

Nëse në dy ndeshjet e kaluara Gjilanit nuk i priu fati, ndaj Dritës dhe Llapit, kur humbi pikë në momentet e fundit të ndeshjes, kësaj radhe ky ekip ia bëri keq vetvetes. Qysh në nismë të ballafaqimit me Lirinë, Gjilani dëshmoi se imperativ të vetëm e ka fitoren, por krejt puna u prish në minutën 17, kur Gëzim Rusi, pa kurrfarë nevojë qëlloi me bërryl lojtarin më të ri në radhët e mysafirëve Memajn, andaj edhe u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak në fushë deri në fund. Hamendja e gjyqtarëve për rreth shtatë minuta, solli nervozë tek ekipet dhe derisa Memaj u transportua në spital me lëndime në pjesën e syrit, të kuqin e mori edhe lojtari rezervist i Lirisë, Ramadanaj, i cili kishte hesape për të qëruar.

Loja nisi të ashpërsohet tej mase, kurse Gjilani mbizotëronte në fushë edhe pse ishte me një lojtar më pak. Megjithatë lodhja e kaploi ekipin vendas dhe në minutën 78 ka mundur të pësoj, kur një gjuajtje të lirë e dha Fetahaj, kurse Kaqiu me mund e dëboi topin. Kështu nga tri ndeshje këtë pranverë, Gjilani ka arkëtuar vetëm dy pikë.

Gjilani – Liria 0:0

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 500. Gjyqtarë: Tahiri, Hyseni, Latifi, Baliu. Kartoni i verdhë: Memaj, Guraziu. Kartoni i Kuq: Rusi, Ramadanaj.

Gjilani: Kaqiu, Kastrati, Bekteshi, Thaqi, Blakqori, Bilalli (Eminhaziri), Shabani, Haxhimusa, Ahmeti (Jashari), Mustafa, Rusi. Trajner: Arbnor Morina.

Liria: Blakqori, Islamaj, Dina, Rexhaj, Gjeraj (Gashi), Fetahaj, Mustafa, Osmani, B. Memaj (Kryeziu), A. Memaj (Guraziu), Trajner: Agron Beseni.

You Might Also Like