Trashëgimi

Depoja ushtarake turke në Gjilan

dini  Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

Disa prej objekteve të inventarizuara nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan që tashmë ndodhen në  Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, në mungesë të të dhënave historike, janë datuar në bazë të të dhënave gojore. Kështu ka ndodhur edhe me njërin prej objekteve të qytetit të Gjilanit, sot selia e LDK-ës, që qe emërtuar si Depo ushtarake turke, që është datuar në fund të shekullit XVIII – fillim të shekullit XIX. Në të vërtetë, nuk është vetëm datimi që mund të mos jetë afër datimit relativ së paku, por çështja qëndron edhe te vetë objekti: nëse Depoja ushtarake turke është objekti i vërtetë, apo është tjetër objekt?

Kur, për herë të parë, ky objekt qe evidentuar si Depoja ushtarake turke, pati mëdyshje për këtë emërtim dhe jo vetëm,  sepse fasada ballore, konstrukti i objektit, përmasat e tij të vogla për një depo, kthinat, funksioni i mundshëm i tyre për depo, komunikimi i kateve – gjithçka thoshte se objekti i tillë mund të kishte çfarëdo funksioni tjetër, por jo edhe funksionin e depos ushtarake. Megjithatë, në mungesë të të dhënave (nuk përjashtojmë mundësinë që dikush nga gjilanasit edhe ta ketë ditur, por për një arsye apo tjetër të mos jemi njoftuar), objekti qe emërtuar si Depoja ushtarake turke, siç ndodhet sot në Databazën e MKRS-së.

Në librin Vilajeti i Kosovës në Dokumentet e Arkivore Osmane, Stamboll, 2007, f. 109,  vërejmë një foto që paraqet dy ndërtesa, ndërsa nën të lexojmë sqarimin Gilan Redif Dairesi ve Deposu (‹.Ü. Nadir Eserler Kütüphanesi, 779-76/2).

Burimi shkrimor dhe përshkrimi i objekteve dëshmojnë se ka dy objekte, dhe se njëri ishte objekt i rezervistëve të ushtrisë osmane, ndërsa tjetri depo. Objekti i emërtuar si Depoja ushtarake turke nga QRTK, në të vërtetë është objekti i Zyrës së Redifëve (rezervistëve), ndërsa objekti tjetër krah tij është vetë Depoja ushtarake turke.  Duke vërejtur foton e Zyrës së Redifëve dhe duke e krahasuar me objektin e tanishëm, mund të konstatohet se ka vetëm dy-tri  ndryshime të vogla: në kulm i mungon baxha, të cilën objekti e kishte që në fillesë dhe nga katër hapje në anën jugore, sot ka vetëm dy se dy i janë mbyllur (krahasimi: foto – gjendje ekzistuese).

Në anën tjetër, objekti i depos së vërtetë ka pësuar ndryshime më të mëdha: ka pësuar ndryshime në fasadë dhe në qasje, sepse shpeshherë i është ndërruar dedikimi dhe secili institucion që ka zhvilluar veprimtarinë e tij në atë objekt ka bërë ndryshime dhe përshtatje për organizim të suksesshëm të veprimtarisë së vet, – kjo duhet të ketë qenë arsyeja e ndryshimeve e ndonjëherë intervenimet duhet parë edhe në funksion të mirëmbajtjes së objektit. Dhe intervenimet e tilla mund të ndodhnin sepse objekti nuk ishte marrë në mbrojtje nga shteti në kohën paraluftës së vitit 1999.

Tani, duke pasur për bazë të dhënën historike se gjatë sundimit të Sulltan Mahmudit II ndodhi një organizim i ri i ushtrisë otomane, sikundër ndodh me formimin e njësive rezerviste gjatë viteve 1826-1834, mendojmë se nuk ka asnjë arsye që datimi i këtyre dy objekteve të jetë më i hershëm se fundi i gjysmës së parë të shekullit XIX, ndërsa riemërtimi edhe në Databazë është i domosdoshëm.

You Might Also Like