OPINION

COPËZA KUJTIMESH PËR VEPRIMTARIN: HALIL KQIKU (1962-2020)

IN MEMORIAM
COPËZA KUJTIMESH PËR VEPRIMTARIN:
HALIL KQIKU (1962-2020)
Mehmetali Rexhepi

Një ndjenjë trishtimi më kaploi, sapo mora lajmin për vdekjen e veprimtarit Halil Kqiku! Kam dëgjuar kohëve të fundit për sëmundjen e tij të rëndë… Dëshiroja se mund të mjekohej dhe të rikthehej ai Halil dinamik, sikurse e kam njohur nga afër, por… Vdekja paska qenë më e shpejtë se sa shpresa ime dhe ajo e më të dashurve të vet?!
Halili përfaqësonte veprimtarin e qëndresës vepruese, jo pasive… Para luftës së hapur të UÇK-s ishte vazhdimisht në lëvizje, në çdo nismë: qoftë kulturore, qoftë në fushatën e Pajtimit të Gjaqeve,veçmas në Trevën e Luginës së Moravës, në Gjilan me rrethinë, Dardanë(Kamenicë) dhe Viti përreth… Po ashtu, në nismat kulturore e humanitare në Preshevë, Bujanoc e Tërnoc të Madh, kudo ishte prania vepruese e Halil Kqikut të palodhshëm, të djersitur, të pluhurosur, gjithnjë në kërkim, në lëvizje, me veturë, të cilën pothuaj se e kishte shkatërruar, me ecje të shpejta në këmbë ku nuk mbërrinte vetura e tij, për të kryer ndonjë shërbim, ndonjë ndihmesë, ndonjë porosi, ndonjë ftesë për tubim protestues, për ngritje të masës, për pajtime, për ndriçime figurash të anatemuara, veprimtarësh kombëtarë të damkosur të luftërave kombëtare për pavarësi nga pushtuesit turq e pasuesit tjerë, edhe më të egër se sa turqit -serbët gjakatarë…
Periudhës së mosbindjes qytetare së shtetit shtypës të Serbisë, i duheshin personazhe të tillë të përkushtuar si Halil Kqiku… Asnjëherë nuk e mbaj mend Halilin, as në rrethanat e përndjekjes së përgjithshme, as të tijës posaçërisht, të dëshpërohej, të humbte toruan, të mos vijonte ecejaket e qëllimeve të qëndresës-rezistencës vepruese (aktive), t`iu largohej veprimeve të paracaktuara… Ndërmarrjet e tij, natyrisht nuk ishin nisma e veprime stihie, ngase duhej të kujdesej për të mos u kapur “me pelë për dore”. Megjithatë, nuk i shpëtoi “bisedave informative” dhe burgosjes nga UDB-ja
Halil Kqiku ishte i pasionuar pas figurave meritore të artit figurativ, andaj me vullnetin e tij të pathyeshëm, edhe kur sëmundja tek ai kishte shfaqur shenja armiqësie për ta mposhtur, kishte përgatitur monografinë meritore për piktorin tonë të çmuar në diasporë Gjelosh Xhokajn. Këto janë vetëm disa copëza fragmentesh për bashkëveprimtarin energjik dhe të urtë, të çmuarin Halil Kqiku, që sapo kaloi në amshim! Qoftë i ndritur kontributi i tij i sinqertë për lirinë dhe demokracinë e kombit të vet!
Lamtumirë Halil Kqiku!
Kujtimi i shëmbëlltyrës tënde bëftë dritë në breza!

You Might Also Like