Libri

BLLACA, KJO ABC E MBIJETESËS SHQIPTARE

( Apo, ajo që desha të them me rastin e paraqitjes së librit të Emin Azemit, “Bllaca – dhembja e lirisë”, edhe në Prishtinë

20 Vjetori i Lirisë së Kosovës, nuk mund të tejkalohej edhe pa përkujtimin e dhembjes më të madhe të ekzodit kosovar – Bllacës.
Bllaca, tashmë si një metaforë shpëtimi e vendstrehimi por edhe si plagë ende e pambyllur e lirisë sonë, bashkëudhëton me neve, nëpër të gjitha sfidat e këtyre 20 viteve.
Ajo hyn e del nëpër mendjet tona, si këngë, si poezi, si rrëfenjë, si roman, si brengë, por edhe si një Urë e mundimshme shpëtimi për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës që e përjetuan drejtëpërsëdrejti apo edhe nga distanca atë kohë të rëndë me shi, me baltë e me të ftohtë të atij fundmarsi ’99-të.
Kjo plagë e thjellë lirie e para 20 viteve, s’do mend ishte edhe epiqendër e lajmeve botërore për Kosovën. E, për neve shqiptarët, një domosdoshmëri përballjejej me Bllacën, për të qenë, apo për të mos qenë. Një luftë e mbijetesës, me një fjalë.
Bllaca, pas 20 vitesh, falë një pune të stërmundmshme të një poeti , publicisiti e botuesi, siç është Emin Azemi, na vjen si një kronikë e përmbledhur përmes Institutit të Trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve me qendër në Shkup , të cilët krejt atë odisejadë të mbijetesës sonë, këndej e andej kufirit, e përmblodhën brenda kopertinave të një monografie me titullin e pashmangshëm: BLLACA – DHEMBJE E LIRISË, për të dëshmuar se, shqiptarët ishin dhe mbetën këtu, përkundër gjithë katrahurave nëpër kohë.
Duke e vlerësuar si një nga ngjarjet e dorës së parë në këtë Njëzetvjetësh lirie, pata mësyrë Shkupin kur u botua dhe u përurua ky libër, pikërisht nga fakti se sa e rëndëishme ishte për shqiptarët edhe një libër i kësaj natyre për Bllacën. Jo si më parë, në formë romani apo dhe në formë poezie po, në formë dokumentimi e mos harrimi , duke i përmbledhur të gjitha ngjarjet e bujshme të para njëzetvitesh, e duke i renditur, ashtu siç edhe rrodhën, duke i qullur qeniet tona, jo vetëm me stërpika shiu, a me fjolla bore e ngrica nate , po edhe duke i përbaltur e përtharë me dhembjet që dijnë t’i rrëfejnë më së miri ata që i përjetuan por, edhe ata që i panë.
E, njëri prej tyre ishte edhe vetë Emini, ai çunaku i dikurshëm i Grykës së Karadakut, përkatësishst i lagjes së Azemëve të Stançiqit, që dallgët e kohës në fund të gjashtëdhjetave e fërfëlluan andej Moravice, në Kumanovë.
Me një ekip të shkathtë e tejet këmbëngulës të gazetarëve të së përditshmes FAKTI, botues i së cilës dhe ishte, ai e përcolli dhembjen shqiptare të Bllacës, që realisht ishte një Kosovë në miniaturë, jo, orë pas ore po, minut pas minute, duke i shënuar dhe detajet e, duke alarmuar botën demokratike, atë botë humane e cila më në fund u shkund, u zgjua dhe, e evitoi një varrezë masive shqiptare në Ballkan, me emrin e po kësaj Bllace, së cilës ende nuk iu kishin shëruar plagët e luftës së dytë botërore.
Emin Azemi, me monografinë BLLACA – DHEMBJA E LIRISË” e bëri atë që më së miri i shkoi për dore, dhe mendjeje. I la kombit një dokumentim autentik të krejt asaj që kishte ndodhur, në dukje të parë me një regji të paparashikueshme që, fatmirësisht nuk përfundoi ashtu siç dëshiruan skenaristët e qendrave antishqiptare.
Megjithëse, sado që duket se është thënë edhe me këtë libër për Bllacën , Bllaca ende nuk është rrëfyer e tëra. Ajo ka ende dhembje që i mban të fshehura, me e pa dashirën e saj…
Kkryesorja, Bllaca, kjo ABC e mbijetesës shqiptare, ditë e më shumë, sa vjen, po rrëfehet dhe… po çlirohet prej gjithë atyre anktheve e maktheve që e mbërthyne para njëzet vitesh.

Gjilan, 21 qershor 2019

No photo description available.

You Might Also Like