Arti pamor

Avni Behluli, artist, veprat e të cilit po vlerësohen në mbarë botën

Avni Behluli, artist i arteve pamore, ka bërë emër jo vetëm në Kosovë e Evropë, por edhe në cepet më të largëta të botës. Krijimtaria e tij artistike, është i vizituar nga shumë artdashës e është vlerësuar nga kritikë të artit, andaj për këtë artist nuk kanë munguar ftesat për të qenë qoftë pjesë e kolonive të shumta artistike, të jetë pjesë e ekspozitave me piktorë e skulptorë të mëdhenj, apo edhe duke hapur ekspozita personale nëpër shumë vende të botës.

Dhjeta ekspozita kolektive dhe personale kanë patur të varura nëpër muret e galerive më të njohura vizatimet e Avni Behlulit, kurse për skulpturat e artistit Avni Behluli, kritikët kaherë kanë dhënë vlerësimin e tyre.

Në dhjetor, në fundvit kur përmblidhen të arriturat, Avni Behluli ka me çka të krenohet. Ai pati ekspozita personale në Shkup dhe Qipro, për të vazhduar më pas me simpoziume ndërkombëtare të artit në Qipro, Gostivar, Sijenicë (Serbi), në Mersin (Turqi).

Vlerat e punimeve të Avniut i kanë shijuar edhe shumë artdashës në ekspozitat kolektive ku ai ka marrë pjesë, siç janë të gjitha vendet e lartcekura, duke vazhduar më pas edhe deri në Korenë Jugore, por pa harruar asnjëherë edhe ekspozitat në vendin e tij të krijimtarisë në Gjilan, Ferizaj, Prishtinë e gjetiu.

Avni Behluli, ka bërë stilin e tij në art, i cili po pëlqehet, andaj kur po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit në të cilin po jetojmë, Avniu do të vazhdojë edhe më tej me krijimtari të reja, vëllimshëm si punëtor i madh që është dhe artistikisht bukur si gjithherë.

You Might Also Like