Trashëgimi

Atik xhamia në Gjilan

????????????????????????????????????


dini  Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

Atik Xhamia, e njohur edhe si Xhamia e Medresesë, paraqet vlera të rëndësishme arkitektonike dhe artistike. Shënimet historike për ndërtimin e saj janë të ndryshme, prandaj është vështirë të konstatohet se kur është ndërtuar objekti. Datë më e hershme është ajo e vitit 1606, ndërsa viti 1609 gjendet në dorëshkrimet e KBI të Gjilanit. Në vazhdën e afërsisë me këto dy data,  është edhe datimi që këtij objekti i ka bërë ish Enti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, duke e konsideruar këtë objekt si të shek. XVII, ndërsa prof. dr. Fejaz Drançolli, thotë se objekti është ndërtuar në vitin 1601.  Në vitin 1980, Atik Xhamisë i është njohur statusi i monumentit. Megjithatë, Kadri Halimi, një nga etnologët gjilanas më me zë, prej të cilit tashmë kemi pesë libra të kompletuar që kryesisht kanë të bëjnë me trashëgiminë shpirtërore dhe materiale të këtij rajoni dhe më gjerë, në këtë vijë, në veprën e katërt “Trajtime dhe studime etnologjike” duke trajtuar historikun e Gjilanit, njëkohësisht ka folur edhe për Atikë Xhaminë. Ai ka konstatuar për një datë më të vonshme të ndërtimit të objektit të Atik Xhamisë në Gjilan. Në të vërtetë, etnologu ynë është bazuar në një rozetë të tavanit të Atik Xhamisë, ku ndodhet i shkruar viti 1207 sipas hixhrit, i cili korrespondon me vitin 1792 të kalendarit gregorian. Po në këtë rrjedhë, atij i ka ndihë edhe përkthimi i fjalës atik, e që në shqipe sipas tij do të thotë i shpejtë, e shpejtë, për të mbyllur rrëfimin për një xhami të ndërtuar shpejt e shpejt, të cilës i janë ndajshtuar minarja dhe kupola po në këtë vit sepse muret e saja ishin ndërtuar 20 vjet më herët, që i bie të jetë viti 1772.

Më vonë, si vakëf, xhamia me oborrin e saj përmendet në një dorëshkrim origjinal të vitit 1938, me alfabet cirilik, i ruajtur nga KBI Gjilan.  Autori me kombësi boshnjake, Ibrahim Moranjak, ka përshkruar pasurinë e vakëfit duke përcaktuar edhe kufizimet e tij me parcelat tjera.

Në kuadër të Xhamisë Atik ekzistonte edhe medreseja, e cila fillimet e saja për dije fetare dhe të përgjithshme i ka që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, për të përfunduar më 1944.  Objekti i medresesë është prishur në vitet 70 të shekullit XX. Xhamia ka pasur edhe shatërvanin për marrje të abdesit, por që më nuk ekziston.

Xhamia tani ka sallën e lutjeve dhe minaren, ndërsa hajati, dikur funksional është prishur në vitin 1993, kur ndërtohet një aneks, i cili i bashkëngjitet objektit të xhamisë, duke u bërë pjesë integrale e tij. Xhamia është ndërtuar me material të ndryshëm: gurë, tulla, shtylla vertikale prej druri dhe hatullat si element konstruktiv,  llaç gëlqereje dhe konop të shtypur (në popull njihet si shtup). Dhe si duket, materialet e këtilla të bashkëdyzuara, kanë ndikuar në qëndresën e objektit për qindra vite me radhë.

 

Salla e lutjeve

 

Salla e lutjeve i ka të gjitha pjesët përbërëse të saja, si: mihrabin, minberin, kursinë ose qyrsin dhe  mahflin.  Mahfili, nuk është ai i vjetri. Tani zë pozitë në mbi kat të aneksit të ri, punuar gjatë vitit 1993, ndërsa sipërfaqja e katit përdhes të aneksit lidhet organikisht me sallën e lutjeve, duke paraqitur një unitet të mirëfilltë. Veç tjerash, aneksi i ri është ndërtuar në harmoni me arkitekturën e xhamisë së vjetër. Mbi mahfil janë vendosur 6 kube, dy prej tyre, ato të mesit janë me vëllim më të madh se katër të tjerat.

Hyrja për në sallën e lutjeve bëhet nëpërmjet aneksit, përballë së cilës (hyrjes) ndodhet mihrabi, i cili tregon drejtimin e Qabesë ose Kibles. E veçanta e mihrabit është forma e tij zgurrore për të emetuar zërin e imamit më fuqishëm në sallën e lutjeve, sa për ta dëgjuar më mirë xhemati.

Minberi është vendosur në të djathtë të mihrabit. Tani është i mbështetur për murin anësor, ndërsa më parë ishte i tërhequr për 1.5 metra më në thellësi të sallës. Minberi shfrytëzohet nga imami i xhamisë sidomos ditëve të premte dhe ditëve të tjera të festave fetare islame për të lexuar pjesë të ndryshme  nga Kurani gjatë lutjes para Zotit. Sikundër ndodh me të gjithë minberët, në fillim është imituar dera e hyrjes, pastaj kanë vazhduar shkallët, ndërsa në fund të tyre është imituar kurora e minares me një kulm në formë koni.  Sipërfaqet anësore të tij janë dekoruar kryesisht me punime motivesh gjeometrike. Në popull minberi quhet hydbe.

Qyrsi ose kursia vendosur në kënd të majtë të mihrabit, më nuk është funksional, jo vetëm pse nuk i ka më shkallët për ngjitje në të, por si duket të arriturat në fushën e teknologjisë moderne po e bëjnë të vetën. Imami, mund ta përdorë mikrofonin për të ligjëruar temën e caktuar, në rastet kur ka shumë xhemat në xhami, pa pasur nevojë të hipën në qyrs, që përdorej ditëve të tjera të javës, pos të premtes dhe ditëve të festave fetare, kur patjetër duhej përdorë minberi.

Si nga brenda, si nga jashtë, xhamia është suvatuar disa herë. Para se të suvatohej nga jashtë, në vitin 2009, kishte ngjyrë të bardhë, ndërsa në qoshe ngjyrë të kaltër. Tani suvaja ka ngjyrë të verdhë, – një nuancë ngjyrë limani. Ndërsa, salla e lutjeve duket se është suvatuar shumë herë. Në të çarën e murit jugor të saj, si në një sondë, vërehen së paku pesë ngjyra suvaje.

Në tri muret anësore janë dritaret katërkëndëshe, nga dy, gjithsej 6 sosh. Edhe nga jashtë janë katërkëndëshe, por mbi arkitraun e tyre ndodhet gjysmëharku i gdhendur. Ndërsa, dy dritare tjera me gjysmëhark nga brenda dhe jashtë, ndodhen pakëz nën tamburanë  tetëkëndëshe.  Njëra ndodhet në murin verior, ndërsa tjetra në murin jugor.

Në Atik Xhaminë e Gjilanit, përkatësisht në muret e saj, janë aplikuar risi në aspektin dekorativ – restaurues të rozetave. Në sipërfaqen e mureve anësore të sallës së lutjeve gjenden rozeta të ndryshme, të përshtatshme dhe ekspozuese. Rozetat e kësaj xhamie shquhen për tekstin islam me një bukurshkrim të adhuruar. Rozetat e tilla janë të formave të ndryshme. Ka rozeta të rrumbullakëta, katrore, romboide etj. Kështu, p.sh. rozeta BISMILAHI, është paraqitur në forma të ndryshme. Njëra nga to është forma e patës, një tjetër, e  cila është në formë vertikale, paraqet llambën, drita e së cilës shpërndahet si rrezet e diellit. BISMILAHI është paraqitur edhe në forma tjera. Rozeta tjetër, simetrike, LA – ILAHE – IL – LELL – LLAH, paraqet xhaminë.

Ndërsa, në traun e parë të aneksit tashmë është shkrimi i parë në shqipe, thënie kuranore: Në emër të Allahut, mëshirëbërësit, …

Në fund të shek. XX, janë të parët restauruesit gjilanas, Demir Behluli dhe Zeqirja Rexhepi, që në xhamitë e Kosovës Lindore kanë futur elemente të traditës shqiptare. Me të drejtë, arsyetimi i tyre për të ndërmarrë diçka të këtillë është bazuar në filozofinë fetare se perëndia i njeh të gjitha gjuhët,  ndërsa për restauruesit që vijnë pas tyre do të kenë një shembull, si për  zotërim profesioni, si për elegancë.  Për më tutje, dezeni i punuar nga Demir Behluli dhe Zeqirja Rexhepi në muret e Atik Xhamisë, nën kubenë e saj, nuk është në vartësi të pikturave origjinale, megjithatë restauruesit kanë ruajtur harmoninë e vetë ngjyrave, – shprehet me të drejtë kritiku ia artit, Mustafa Ferizi.

Puna dekorative e restauruesve të lartpërmendur shihet edhe në mihrab, në muret nën kubenë qendrore dhe në vetë kubenë, gjatë restaurimit të saj më 1994. Risia që kanë sjellë ata, veç rozetave me kaligrafi arabe të punuara në forma të ndryshme, duket qartë në dekorimin e shtyllave, të cilat duken si trungje qarri. Shtyllat e tilla nuk kanë të bëjnë me objektin e mbrojtur, por me aneksin.

Nga ngjyrat e përdorura në Atik Xhaminë e Gjilanit vërehet thjeshtë dominimi i ngjyrës sekondare, ngjyrës vjollcë kaltër të zbehtë.

 

Kubeja qendrore

 

Kubeja qendrore e xhamisë qëndron mbi një tambure tetëkëndëshe, pra e ndarë në tetë pjesë të barabarta, simetrike. Nga sipër është e mbuluar me tjegulla, me një radhitje të bukur, ndërsa nga brenda, në qendër të saj, përkatësisht në thellësinë e lartësisë së kubesë, ndodhet një sipërfaqe tetëkëndëshe, me një gjerësi prej 1.7 m. Ndërkaq, që nga tamburaja e tutje në lartësi, veshja e sipërfaqes tetëkëndëshe të kubesë është bërë me dërrasa. Përndryshe, dërrasat e lëmuara tëhollohen si maje kur arrijnë në tetëkëndëshin qendror duke treguar thellësinë e kubesë. Qendra tetëkëndëshe, veç dekorimit në dru, në tetë pjesët e saja, ka dhe nga dy trekëndësha të përputhur, por të shtrirë horizontalisht, për t’u dukur si një i vetëm. Në sipërfaqet e tyre  paraqitet kaligrafia arabe.

Gjithashtu në kube ndodhet edhe brezi me tetë hapësira 4 x 2.5 m, në të cilat janë të hapura tetë dritare katrore nga brenda, ndërsa me gjysmëhark nga jashtë.  Në këto tetë hapësira zënë vend pikturat murale, të cilat paraqesin vlera shumë të çmuara të kulturës islame në këto troje. Dekorimet pikturave janë me motive bimore,  në disa raste lule të vendosura në vazo. Këto dekorime i takojnë stilit otoman, për faktin se në xhamitë arabe, përpos thënieve nga Kurani, nuk pranojnë asgjë që bën jetë, që ndonjëherë qe e gjallë, edhe lule po të jetë.

 

Minarja

 

Një komision i formuar nga MKRS për rivlerësimin e objekteve kulturore gjatë vitit 2010, për objektin e Atik Xhamisë ka konstatuar se xhamia ka nevojë për intervenime me qëllim të sanimit të plasaritjeve dhe çarjeve në murin anësor, atë verior, që mund të sjellë probleme për këtë objekt, si dhe për vetë minaren e xhamisë. Kjo e fundit është e tipit otoman, ka një sherife, në lartësinë prej 20 metrash, ndërsa pjesa mbi të shkon duke u ngushtuar dhe duke përfunduar me një mbulesë në formë koni, ndërsa në majën më të lartë të saj ndodhet gjysmëhëna e kthyer kah qielli. Minarja është e ngjitur me murin anësor të objektit të xhamisë, ndërsa për të arritur në hapësirën e sherifes, imamit që duhej të thërriste ezanin, i duhej të kalonte 92 shkallë. Ajri i rëndë në brendësi të minares rifreskohet zakonisht nëpërmjet disa hapjeve të vogla që ndodhen në shtatin e minares.

Në vitin 1981/2, në oborrin e xhamisë është ndërtuar një objekt i ri, që shërben për lokale të KBI Gjilan. Ndërsa, në maj të vitit 2011 është ndërtuar edhe një objekt tjetër, më saktë Medreseja e Atik Xhamisë, e cila ka ekzistuar dikur, por është shkatërruar në vitet 70 të shekullit XX. Te dy këto objekte e kanë degraduar paksa ndërtesën e Atik Xhamisë, duke i “ zënë frymën” asaj dhe duke ndikuar negativisht në shpërfaqjen e vlerave arkitektonike dhe kulturore të monumentit.

You Might Also Like