Gjilan

Asfaltimi i rrugës është jetik për Sllakocin

Shumë familje nga fshati Sllakoc i komunës së Gjilanit ishin shpërngulur në fillim të viteve të shtatëdhjeta, sa në Gjilan, Ferizaj, Shkup e gjetiu, por edhe sot mbi 30 familje të lagjeve të ndryshme vazhdojnë të jetojnë në këtë fshat. Dy shtëpi u ndërtuan sivjet falë komunës së Gjilanit dhe donatorëve, kurse së fundi jeta ka nisur të gjallërojë në këtë fshat, ngase shumë familje vazhdojnë të merren me blegtori, sikurse që është ngjallur interesimi për punimin e tokës, e cila është tokë e pëlleshme dhe që e bënë bereqetin..

Familja e Muharrem Brahushit nga Sllakoci ishte shpërngulur në fillim të vitet e shtatëdhjeta, ashtu siç kishin vepruar edhe shumë familje të tjera në atë kohë, të cilat perspektivin e kishin kërkuar në qytet. Megjithatë, Muharremi asnjëherë nuk e harroi vendlindjen e të parëve të tij dhe çdo javë rregullisht e viziton fshatin, aty ku kishte kryer filloren dhe ku i ka kujtimet më të mira.

Brengë e Muharremit, por edhe e familjeve të tjera është mosasfaltimi i rrugës e prej ku Sllakoci lidhet nëpërmjet dy drejtimeve. Pushtetarët disa herë kishin dhënë premtime për asfaltimin e rrugës e tashti fshatarët presin që kjo të bëhet realitet.

“Fshati tashti ka shkollën e re, ka pozitë të mirë gjeografike, tokë të pëlleshme dhe shumë familje kanë nisur investimet këtu, duke ngre ferma, por edhe duke punuar parcela të mëdha të tokës, ku përveç kulturës së drithërave, tashti po mbjellin pemishte e po kultivojnë mjedrën, por brenga më e madhe për të mbetet rruga e paasfaltuar”, thotë Muharrem Brahushi, sipas të cilit rruga ka një bazë të fortë dhe ajo do të mund të ishte e qëndrueshme.

“Kur vije nga qyteti këtu, çdo gjë është ndryshe, ajri është i pastër e nuk ndjen lodhje kur ec, andaj mendoj që në një të ardhme të afërt të ndërtojë një shtëpizë këtu për të kaluar ndonjë nga ditët e javës”, thotë Muharrem Brahushi e një gjë të tillë do t’a bënin edhe shumë bashkëfshatarë të tij, mbase disa prej tyre do të ktheheshin përgjithmonë për të jetuar në fshat.

You Might Also Like