Gjilan

Aliu: Ne i besojmë punës sonë

 

Zyra për Informim ka filluar ciklin e tretë të konferencave të shefave të grupeve politike që përfaqësohen në Kuvend Komunal, për t`iu dhënë mundësinë atyre që t`i paraqesin vlerësimet e veta për punën e vendimmarrjes komunale – sukseset, sfidat dhe të metat.

Avdyl Aliu (LDK), ka thënë se këto lloj konferencash po i ndihmojnë shefat e grupimeve politike që të informojnë publikun e Gjilanit me atë që bëhet në Kuvend Komunal.

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, edhe në gjashtëmujorin e parë të të këtij viti, ka vazhduar t`i kryej detyrat dhe obligimet e veta ligjore, ka thënë ai. Pasi i ka numëruar të gjitha aktivitetet e kësaj periudhe, Aliu ka theksuar se të gjitha këto punë janë bërë për interesa rë qytetarëve të komunës së Gjilanit dhe assesi për interesa të ndonjë grupi të ngushtë.

Për më tepër, ai ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjilanit vazhdon të kultivojë një frymë të mirë dhe tolerante, që nga fillimi i kësaj përbërje, duke nënvizuar se ekziston një vullnet i mirë për t`iu dhënë hapësirë të mjaftueshme dhe të pakufizuar në debat, të gjithë anëtarëve e veçmas opozitës.

Aliu ka vlerësuar se në Kuvendin Komunal të Gjilanit, është instaluar një demokraci, që nuk ka qenë e ketij niveli deri më tani. Sipas tij, për t`i kontribuuar demokracisë, ndodh

shpesh që të shkelet edhe rregullorja e punës, në kuptim pozitiv, duke lejuar këshilltarët e opozitës që të flasin edhe nga 2-3 herë për të njëjtën çështje.

“Të dyja palët jemi duke e bërë mirë punën tonë, sipas mandatit që na ka dhënë qytetari, dikujt prej nesh për të punuar e dikujt tjetër për të folur”, ka thënë Aliu, duke shtuar se beson që asnjë anëtar i Kuvendit nuk e ka shpenzuar kot kohën e tij, apo duke i shërbyer një interesi të ngushtë, por duke u munduar që të bëjë një punë të mirë për qytetarët e Gjilanit.

Kurse sa i përket ekzekutivit, Aliu ka thënë se me qëllim të mbarëvajtjes së punëve në Kuvend Komunal dhe në Komunë, në përgjithësi, grupi i këshilltarëve të LDK-së ka një bashkëpunim të kënaqshëm edhe me ekzekutivin.

“Ne koordinohemi me ekzekutivin për gjithçka, por kjo nuk nënkupton se po i shërbejmë atij, sepse ne e bëjmë këtë për t`iu shërbyer sa më mirë interesave të qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka thënë Aliu.

Kjo qeverisje, deri më tani ka kryer mjaft punë, disa të tjera janë duke u kryer, kurse edhe më shumë do të kryhen muajve të ardhshëm. “Ne i besojmë punës që bëjmë”, ka thënë ai.

Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarçve të LDK-së, është përgjigjur edhe në pyetjet e gazetarëve rreth aktivitetit të Kuvendit Komunal dhe ekzekutivit.

LDK si subjekt qeverisës përfaqësohet në Kuvend Komunal me 14 anëtarë.

You Might Also Like