Sportet me dorë

Agim Shkodra, ikonë e hendbollit gjilanas

Një prej ikonave të hendbollit gjilanas, Agim Shkodra, ka ndërruar jetë të hënën në moshën 59- vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër. Me ndarjen nga jeta të Agim Shkodrës, klubi i hendbollit Drita nga Gjilani, Federata e Hendbollit të Kosovës dhe hendbolli e sporti kosovar në përgjithësi kanë mbetur pa një prej figurave qe shkruan historinë ne këtë sport.

Si portier, përkatësisht lojtar, Shkodra karrierën e filloi në skuadrën Bozhuri nga Gjilani, vazhdoi te Buduçnosti nga Peja, ku ishte edhe në studime, në klubin Kosova të Vushtrrisë kurse karrierën e përmbylli në KH Drita të Gjilanit.

Kontributi i tij i madh ishte sidomos në vitet 1991-99, kur u pavarësua sporti kosovar. Pas luftës si trajner me sukses udhëhoqi skuadrën e Dritës në konkurrencë të femrave dhe të meshkujve, pastaj KHF Kosovën e KHF Prishtinën kur Prishtina ishte pjesë e garave ndërkombëtare. Ka drejtuar edhe klubin Zhegra. I ndjeri ishte edhe seleksionues i grupmoshave të reja në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe të femrave, ku la gjurmë te pashlyera në zbulimin e talenteve te reja.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini në emër të FHK-së dhe të gjithë komunitetit të hendbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Shkodra dhe klubit Drita nga Gjilani.

Varrimi i te ndjerit u bë sot nga ora 14:00 në varrezat e qytetit në Gjilan.

You Might Also Like