LAJME

AAK: Autostrada të marr emrin e Agim Ramadanit, Stadiumi atë të Selami Osmanit – Bezit

Grupi i Këshilltarëve komunal të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK – së) i ka dërguar një propozim kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, nëpërmjet të cilit ka kërkuar që autostrada Prishtinë – Gjilan  të marrë emrin e Agim Ramadanit, kurse Stadiumi i Qytetit në Gjilan të marr emrin e Selam Osmanit – Bezit, i cili për një kohë të gjatë kishte qenë kryetar i Klubit të Futbollit Drita.

Në vazhdim po e botojmë të plotë propozimin e këshilltarëve të AAK-së:
Grupi i Këshilltarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i propozon kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi HAZIRI, dhe Kuvendit të Komunës së Gjilanit, futjen në rend dite për diskutim lidhur me emërtimin e Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, si dhe emërtimin e stadiumit të qytetit, me propozime konkrete.
1.
Autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, është një arterie që lidhë shqiptarët ndërmjet vete, nga Lugina me Kosovën, dhe që të dyjat me Shqipërinë. Kjo autostradë, luan rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik, dhe lehtëson qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Të gjitha autostradat në Kosovë janë të emërtuara me emra të figurave të shquara kombëtare, që i kanë dhënë shumë lirisë së Kosovës, prandaj propozojmë që Autostrada Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, meriton të emërtohet Autostrada “ Agim Ramadani”.

Me emërtimin e autostradës me emrin e heroit të kombit “Agim Ramadani” nderojmë veprën e heroit, familjen e tij, Anamoravën, si dhe gjitha trojet shqiptare, prandaj kemi menduar se është zgjidhja e merituar dhe e duhur lidhur me emrin e propozuar.
2.
Gjilani tani më po njihet edhe në arenën ndërkombëtare si qytet i sportit dhe sportdashësve dhe si komunë duke u mbështetë edhe nga organet tjera shtetrore ka nis të mendoj seriozisht edhe për sportin dhe sportistët gjilanas. Krijimi i infrastrukturës dhe terreneve sportive, është i nevojshëm dhe kërkon urgjencë për shkak të kritereve të përcaktuara edhe nga institucionet ndërkombëtare sportive.
Meqë punimet për ndërtimin e stadiumit të qytetit kanë nisur, dhe shpresojmë se shumë shpejtë edhe do të përfundojnë, mendojmë se është koha që të inicojmë emërtimin e stadiumit të qytetit prandaj ne grupi i këshilltarëve të AAK-së propozojmë që stadium i qytetit të emërohet me emrin “Selami Osmani” – BEZI pasi që angazhimi dhe kontributi i tij dekada me radhë dhënë për sportin si dhe sportistët gjilanas e në veçanti për futbollin gjilanas është i njohur e me këtë propozim mendojmë se edhe nderojmë figurën e tij si dhe sportin gjilanas.
Andaj, kërkojmë nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, që të miratoj këtë propozim apo iniciativë dhe ta fus në rend pune në këtë seancë, në pikën e rendit të punës në të ndryshme, në mënyrë që kryetari i komunës së Gjilanit, të procedoj më tutje këtë iniciativë krahas debateve,diskutimeve me qytetarë dhe me shoqëri civile.

 

You Might Also Like