Gjilan

Haziri: Politikat lokale gjithnjë në mbështetje të sektorit privat si mundësi e madhe punësimi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i shoqëruar nga drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, sot kanë vizituar kompaninë e riciklimit “Riciklimi” në Gjilan, për të përcjellur nga afër punën që bëhet në këtë biznes privat dhe njëkohësisht për ti ofruar mbështetjen e mëtutjeshme në kuadër të angazhimit për zhvillimin ekonomik lokal dhe angazhime të tjera që ndikojnë në rritjen dhe zgjerimin e ekonomive të vogëla dhe të mesme, pa lënë anash asnjëherë fokusin edhe tek bizneset e mëdha.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, njëherit ka shprehur përkrahjen  e vazhdueshme që komuna jep për bizneset dhe asistencat që ofrohen në forma të ndryshme falë edhe përcaktimit të donatorëve të jashtëm për ngritjen e zhvillimit ekonomik në nivel vendi.

“Ne si komunë e Gjilanit jemi në përkrahje të bizneseve edhe aty ku nuk kemi buxhet të ndarë. Do të mundohemi që ti ndihmojmë bizneset duke u bërë udhëzues për ta, duke i njoftuar se ku mund të kërkojnë dhe gjejnë fonde të nevojshme për zhvillimin e bizneseve të tyre si dhe për të mundesuar hapjen e vendeve të reja të punës. Angazhim i vazhdueshëm imi është që ta zgjerojmë edhe më shumë biznesin privat. Kjo asnjëherë nuk do të jetë e mundur vetëm me politikat lokale. Kërkohet përkrahje shumë e madhe edhe në ndryshime të politikave qendrore, gjë për të cilën vazhdimisht po angazhohem së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe ministritë e tjera të linjës. Kemi krijuar klimë të mirë për zhvillim të biznesit në Gjilan dhe gjithnjë angazhohemi edhe në thithjen e investimeve të jashtme”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri duke theksuar mundësinë më të madhe për vende pune.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe fillimin e fazës së dytë të projektit “Gjilani Riciklon”, duke falenderuar kompaninë e riciklimit “Riciklimi”, për interesimin e saj në grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme si partner i këtij projekti, së bashku me “Gizin”, organizatën jo-qeveritare “Green Art Center” dhe Komunën e Gjilanit.

Nga ana e tij pronari I ndërmarrjes “Riciklimi”, Fatos Latifaj, ka falënderuar për angazhimin e madh, kryetarin dhe Komunën e Gjilanit në përgjithësi, duke informuar atë mbi ecurinë e kompanisë dhe mbarëvajtjen e punëve, që nga grumbullimi i mbeturinave të riciklueshme e deri në përfundimin final.

Ai gjithashtu ka falenderuar Komunën për asistencën që i ka dhënë për të aplikuar në thirrjen e granteve në USAID, përkatësisht programin “Empower”, duke u bërë kështu fitues i një makine për bluarjen e plastikës, për të cilën kompania e tij ka pasur nevojë.

Ndryshe, faza e dytë e projektit “Gjilani Riciklon”, ka pak kohë që ka nisur dhe po punohet në vetëdijesimin e qytetarëve të Gjilanit mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe klasifikimin e mbeturinave të riciklueshme, proces ky që sjellë dobi të mëdha

Mbrojtja e mjedisit, të jetuarit dhe të vepruarit në një ambient të pastërt është thelbësore për një shëndet të mirë. Prandaj, mesazhi kryesor i kryetarit Haziri, drejtorit Zuzaku, përfaqësuesve të GAC-it, është kujdesi për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, duke premtuar për një Gjilan sa më të gjelbërt.

You Might Also Like