Komunikacion

FOL: “Udhë pa Krye” – Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Prishtinë 29 janar 2019 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezë diskutimi me ç ‘rast ka publikuar raportin “Udhë pa Krye”, nga monitorimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.

Mexhide Demolli Nimani, Drejtore e Lëvizjes FOL theksoi se ndërtimi i kësaj autostrade që nga fillimi është përballë me mungesë të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve relevante. “Përderisa shumë dokumente nuk janë publikuar në lidhje me ndërtimin e kësaj autostrade, FOL ka marrë të gjitha veprimet e dala nga Ligji për Qasje në Dokumente Publike” në mënyrë që fati i 88 milionëve për ndërtimin e kësaj autostrade dhe shumë milionave të tjerë që do të shkojnë në shpronësim, të bëhet publik”, tha ajo. Ndërkaq, Elbasan Racaj- koordinator i projekteve në FOL prezantoi të gjeturat e raportit ‘Udhë pa Krye’. Sipas tij, procesi i planifikimit dhe fillimi i ndërtimit të autostradës ka qenë i mbyllur nga ana e institucioneve të Republikës, të cilat nuk kanë qenë të gatshme t’i ofrojnë publikut të dhënat dhe detajet e ndërtimit të së njëjtës autostradë. “Autostrada nuk ka qenë e paraparë me plan të prokurimit nga Ministria e Infrastrukturës. Mungon plani i menaxhimit të kontratës për këtë autostradë. Gjithashtu procesi i shpronësimit të parcelave ka filluar pas nënshkrimit të kontratave nga Ministria e Infrastrukturës. Procesi i vlerësimit të pronave të paluajtshme nuk ka përfunduar në tërësi”, tha ai duke shtuar se Ministria e Financave, ka refuzuar të ofrojë të dhënat mbi shumat financiare të vlerësimit të deritanishëm të pronave të paluajtshme, duke e bërë këtë proces të mbyllur.

Hilmi Jashari, Avokat i Popullit tha se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të jenë llogaridhënëse dhe duhet të përgjigjen në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike. “Secili institucion i cili prodhon një dokument duhet të klasifikohet në atë moment se a është dokument për qasje apo dokument i klasifikuar, e jo në momentin që kanë një kërkesë të dalin me përgjigje si në rastin e Lëvizjes FOL”, tha Jashari, duke shtuar se kjo do të lehtësonte punën e institucioneve si dhe palëve të interesuara. Sipas tij, në rastet e shpronësimeve nuk është problemi veç me ligjin për qasje por edhe me Ligjin e Shpronësimit. “Qytetarët e pakënaqur me vlerësimin e pronave të shpronësuar kushtëzohen me pesë kopje të ankesave që i dërgojnë në MMPH përveç padisë që duhet ta bëjnë në Gjykatë”, tha ai. Sipas Jasharit, Institucioni i Avokatit të Popullit së shpejti do të del me një rekomandim sa i përket ankesës së Lëvizjes FOL, ngase mendojmë se shpenzimet e parasë publike duhet të jenë publike për qytetarët.

Ndërkaq z.Kushtrim Musatafa nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, tha se pas marrjes së kërkesave nga Ministria e Financave dhe Avokati i Popullit, janë shqyrtuar të dyja dhe se Agjencia javën që vjen do të dal me vendim përfundimtar sa i përket çështjes së publikimit të vlerave të parcelave të shpronësimit. “Siç e dimë, Lëvizja FOL ka kërkuar vetëm numrin e parcelës dhe çmimin e vlerësuar. Në anën tjetër e kemi vendimin përfundimtar të Qeverisë të publikuar në gazetën zyrtare ku janë edhe emrat e përfitueseve dhe numrat e parcelave, andaj nuk kemi vërejt që një gjë e tillë cenon të dhënat personale”, tha Mustafa.

Besim Kelmendi, Prokuror tha se nuk mund të flas rreth hetimeve, për shkak se mund të pengohen fazat e grumbullimit të informatave dhe hetimeve. “Ju inkurajoj që të vazhdoni këtë punë në kërkim të llogaridhënies së institucioneve. Ky raport do përcillet tek prokurori. Mos transparenca shkel barazimin e çdo qytetari, kjo do të ishte keq nëse qytetarët nuk paguhen njëjësoj sa i përket shpronësimit të pronës së tyre”, tha ai.

You Might Also Like