KRONIKË E ZEZË

Ngritet aktakuza për vrasjen në Bresalc

Gjilan, 25 tetor 2018 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit Liridon Uruqi.

Prokuroria njofton se më 28.07.2018, në fshatin Bresalc komuna Gjilan, i pandehuri Liridon Uruqi, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Fatlind Arifi, në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të tij, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë duke e dërguar në spital.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’, nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, i pandehuri me dashje, të njëjtën armë ia drejton fillimisht të dëmtuarve-dëshmitarëve Kastriot Haziri, dhe Lirim Muji, pastaj edhe të dëmtuarit-dëshmitarit Gëzim Abazi, duke e ngreh këmbëzën e revoles. Në këtë mënyrë, ka kryer edhe veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’, nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 lidhur me nenin 28 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm  për armët, ka mbajtur në pronësi armën, me të cilin ka kryer vrasjen, me ç’rast akuzohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjilan, që të njëjtit t’ia vazhdojë masën e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të të pandehurit në procedurë dhe po ashtu t’i shqiptoj edhe dënimin plotësues – konfiskimin e armës së markës TT të kalibrit 7.62 mm.

You Might Also Like