Atletikë

Mbi 700 fëmijë të Pavarësisë shënojnë Ditën Olimpike në Gjilan


Gjilan 25 maj 2018 – Me mbështetje të Zyrës së Kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri dhe nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtorisë së Arsimit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, sot është organizuar vrapimi i mbi 700 fëmijëve të lindur në vitin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për të shënuar Ditën Olimpike.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, e ka përshëndetur aktivitetin me lutjen që fëmijët të jenë punëtorë për ndërtim dhe zhvillim të vendit gjatë të ardhmes.
“Të dashur fëmijë të brezit të shtetësisë së Kosovës. Pëshpëritjet tuaja në sheshin qendror të Gjilanit, më kujton bletët që punojnë shumë për të siguruar ushqime të mira për të ardhmen. E tillë është edhe energjia juaj pozitive për zhvillim, ndërtim dhe ardhmëri për Kosovën. Lutem për të gjithë ju fëmijë të mirë të këtij vendi, familjarët e prindërit tuaj, që të keni shëndet, lumturi dhe të ndjeheni gjithmonë krenar me shtetin tuaj për të cilin punoni kaq shumë”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Ndërsa, Vjollca Krasniqi, zyrtare e Komitetit Olimpik të Kosovës, ka thënë se shënimi i Ditës Olimpike është një vazhdimësi e organizimeve tashmë në kalendarin tradicional, gjithnjë në zgjerim të aktivitetit.
“Deri më tani nga viti 2012 ky aktivitet i vrapimit të fëmijëve të pavarësisë është organizuar vetëm në qytetin e Prishtinës. Nga ky vit vrapimi i fëmijëve që janë të lindur në vitin e pavarësisë po shtrihet edhe nëpër Komunat tjera dhe këtë vit kemi edhe organizime në gjashtë Qendrat më të mëdha të Republikës së Kosovës. Sot në kohën e njëjtë kanë vrapuar mbi pesë mijë fëmijë në gjithë Republikën e Kosovës në shënim të ditës Olimpike”, ka pohuar ajo mes tjerash.
Edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Hajdari,  ka dëshiruar suksese fëmijëve, shëndet, fat dhe angazhim sa më të madh.
Për ndryshe vendi i parë, dytë dhe i tretë nga dy gjinitë garuese kanë marrë mirënjohje  të artë, agjendë dhe bronzt, kurse për të gjithë pjesëmarrësit janë ndarë diplomat e pjesëmarrjes.

You Might Also Like