Ekonomi, Gjilan

Kërkohen mundësi për zhvillim ekonomik e punësim

Në organizim të Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Gjilanit, sot është mbajtur takim i përbashkët me bizneset të cilat kanë qenë bashkëpunuese në krijimin e vendeve të reja të punës, në regjionin e Gjilanit, që nga një projekt i vetëm janë siguruar vende të përhershme për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ministri Arban Abrashi, zv.ministrja Rita Hajzeraj, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët njëzëri kanë theksuar që urat lidhëse mes institucioneve, bizneseve dhe punëkërkuesve janë gjithnjë të mundshme kur është një disponim i përbashkët për orientim të politikave në funksion të zhvillimit ekonomik.

Me këtë rast ministri Abrashi, ka potencuar se nëse bashkërisht dëshirohet një zhvillim ekonomik dhe punësim, atëherë në Kosovë duhet një orientim i veçantë dhe me përkushtim drejtë sektorit privat.

“Sektori privat është çerlësi i zhvillimit ekonomik. Mëse të nevojshme janë reformat në arsim dhe përgatitjet e kuadrit profesional për zhvillimin ekonomik, duke stimuluar nxënësit që të regjistrohen në drejtime të cilat gjithnjë janë të hapura për punësim në të ardhmen. Me subvencionimin e pagës kemi arritur që në kuadër të programit për punësim, sot të kemi një numër të vogël të të punësuarve, mirëpo kur kemi parasyshë nevojat e mëdha për punësim, kjo shifër duhet të na shërbej si shpresë për të ardhmen. Shumë shpejtë do të nisim me fazën tjetër dhe me programin tjetër atë të mbështetjes së punës praktike në sektorin privat, që gjithashtu është një mundësi për punësim dhe krijim të kushteve më të mira”, ka thënë ministri Abrashi në fjalën e tij.

Ndërsa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke e ndërlidhur këtë takim me ditën e martë si ditë të hapur të takimit të qytetarëve me kryetarin, ka thënë se 90 për qind e rasteve që takojnë kryetarin, kërkesën e vetme kanë punësimin.

“Sot është e martë dhe kjo ditë gjithnjë i është lënë e hapur ekskluzivisht qytetarëve që të takohen drejtëpërdrejtë me kryetarin e Komunës. Për më pak se dy muaj në zyrën time kam pritur më shumë se 5 mijë e 200 qytetarë dhe prej tyre 90 për qind e rasteve janë me kërkesa të drejtëpërdrejta për vende pune. Administrata e shtetit nuk është gjeneratori i punësimit, por ajo mundësi ekziston vetëm në sektorin privat i cili është me potenciale shumë më të mëdha, gjithnjë duke llogaritur mbështetjen e shtetit për to. Shpëtimi i vendit në fushën e punësimeve është vetëm përmes zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit më të madh, bizneseve private. Programet e ministrisë gjithnjë e më shumë janë lehtësuese sepse për kohë të caktuar krijohen vende pune sezonale por të shumtën e rasteve edhe vende të rregullta pune”, tha kryetari Haziri.

Ai më tej ka pohuar se ata që krijojnë sot një vend të ri pune në Kosovë, janë më meritorët për zhvillimin ekonomik.

Ndërsa, Jakup Berisha, afarist nga Komuna e Gjilanit ka paraqitur si problem mungesën e kuadrove profesionale, ngase sipas tij sot mungojnë kuadrot si mekanik, elektricist, përpunues të mishit, dhe profesione të ngjashme. Më tej Berisha potencoi faktin që për fat të keq shumë të rinjë të diplomuar duhet që sot të punojnë punë jashtë profesionit të tyre, si kamarier, shofer, punëtor ndërtimi apo diq të ngjashme, ngase profesioni për të cilin janë diplomuar nuk gjeneron vende të përhershme të punës.

You Might Also Like